Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov u përplas në mënyrë indirekte me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në takimin vjetor të OSBE-së për sigurinë, duke akuzuar Perëndimin se rrezikon përshkallëzimin e luftës në Ukrainë.

Ai akuzoi Perëndimin për ringjalljen e Luftës së Ftohtë dhe provokimin e një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë. Nga ana tjetër Sekretari Blinken akuzoi Rusinë për përshkallëzimin situatës në rajon, duke vënë në dukje se ministri i jashtëm rus, folësi i katërti në takim dhe nuk qëndroi për të dëgjuar fjalimet e homologëve të tjerë.

“Le të flasim për përshkallëzimin“, tha Sekretari Blinken, duke përmendur dislokimin e forcave të Koresë së Veriut në Evropë, përdorimin e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi për të sulmuar Ukrainën, vendimin e Rusisë për të ndryshuar doktrinën e armëve bërthamore. Para se të largohej nga salla, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e quajti homologun e tij rus Sergej Lavrov një “kriminel lufte”.

Më pas gjatë një interviste Lavrov tha se përdorimi i një rakete hipersonike në luftën e Ukrainës synonte ta bënte Perëndimin të kuptonte se Moska ishte gati të përdorte çdo mjet për të mos patur asnjë humbje strategjike.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët, të cilët gjithashtu ofrojnë këto armë me rreze të gjatë për regjimin e Kievit, ata duhet të kuptojnë se ne do të jemi të gatshëm të përdorim çdo mjet për të mos lejuar që ata të kenë sukses në atë që ata e quajnë disfata strategjike e Rusisë”. 

Kjo ishte vizita e parë të zotit Lavrov në një vend anëtar të BE-së që nga fillimi i agresionit rus në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt 2022. Pjesëmarrja e Lavrovit në forume me zyrtarë të lartë perëndimorë ka qenë relativisht e rrallë, megjithëse ai kohët e fundit mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe samitin e G20-ës në Brazil.

Klan News