Pas një pjese të anëtarëve të kryesisë dhe asamblesë socialiste, kundër Edi Ramës rreshtohet edhe një prej figurave historike të Partisë Socialiste. Ish-presidenti Rexhep Mejdani i është bashkuar Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, e zyrtarizuar një ditë më parë gjatë një takimi të gjerë me antarësinë, ku gjithashtu morën pjesë edhe themelues të Partisë Socialiste dhe deklaroi se braktisja e parlamentit e dëmton jo vetëm opozitën, por edhe vendin.

Rexhep Mejdani: “Natyrisht që ne kemi përvojë negative nga teknologjitë e bojkotit. E dëmtojnë, bojkoti dëmton jetën brenda partisë. Në mënyrë të veçantë jetën parlamentare, reagimin parlamentar të një partie politike dhe un besoj dhe shpresoj që shumë shpejt Partia Socialiste do të kuptojë që nuk mund t’i rezistojë bojkotit parlamentar se do të dëmtojë jetën e saj, do dëmtojë strukturat e saj, do të dëmtojë të ardhmen e saj dhe në mënyrë të veçantë dhe të ardhmen e vendit.”

Ish presidenti Mejdani e ka kritikuar Edi Ramën edhe për programin e Partisë Socialiste. Më 16 maj zoti Mejdani i dorëzoi Edi Ramës librin e rekomandimeve, një studim i 400 intelektualëve shqiptar, por sot ai thotë se këto rekomandime që ju ofruan Edi Ramës për tu konsultuar nuk dihet se ku janë, sikundër edhe programi i partisë.

Rexhep Mejdani: “Rekomandimet ishin një veprimtari e intelektualëve të shquar ku shumë profesor të universiteteve duke përpunuar mendimin alternative në përputhje me realitetin shqiptar këtë mendim ja transmetuam dhe kryetar të partisë për ta shfrytëzuar, por jo për ta  konsideruar padyshim program partie, program i Partisë do përpunohej nga strukturat e partisë. Ndërkohë që nuk morëm vesh se ku shkuan ato rekomandime, ku shkoi edh programi.”

Takimi i parë i “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe” me anëtarësinë socialiste vendosi si pikë kryesore rikthimin e socialisteve në kuvend. Ben Blushi, një prej iniciatorëve të kësaj Lëvizje, theksoi edhe njëherë se Edi Rama po e përdor bojkotin dhe Partinë Socialiste për interesa personale dhe se me qëndrimin e tij në krye të PS –së, socialistët do të shënojnë vetëm humbje e se rrezikojnë edhe bojkotin e zgjedhjeve të ardhshme.

 Ben Blushi: “Ne po detyrohemi ta lëmë frontin duke ikur nga parlamenti dhe duke e braktisur detyrën për të cilën ne jemi votuar. Kjo rrugë nuk është e logjikshme, nuk është e arsyeshme, nuk është bindëse dhe për më tepër është një rrugë frikacakësh. Opozita nuk është në parlament, por herë pas here ajo mblidhet në salla qytetesh duke u përpjekur të kuptojë se ku ndryshon nga Edi Rama. Asnjeri nuk e kupton ku ndryshojnë këta të dy, por të gjithë e dinë se kush do fitojë, do fitojë ai që ka humbur, do fitojë ai që garanton humbjen sa herë që të ketë zgjedhje në Shqipëri. Do fitojë ai që nuk hyn në parlament dhe ndoshta nuk do hyjë më në zgjedhje, do fitojë ai i cili ditën që partia humbi zgjedhjet tha: Unë jam më i fortë se kurrë dhe ndoshta ka të drejtë, kryetari i Partisë Socialiste është më i drejtë se kurrë sepse Partia Socialiste është më e dobët se kurrë.”/tvklan.al