Pas të hënës që si pasojë e motit u shkaktuan problematika të shumta në pjesën më të madhe të vendit, kjo e martë ka shënuar një përmirësim të situatës.

Sipas Autoritet Rrugor Shqiptar, reshje shiu dhe dëbore ka pasur në zonat veriore dhe juglindore shoqëruar me rënie të temperaturës nën 0 gradë celsius.

Problematika ka pasur në aksin Bogë – Theth, ku borëpastrueset vijojnë punën për të mbajtur të hapur rrugën. Në këtë segment lejohet kalimi i mjeteve vetëm me zinxhirë, ndërsa bllokime të rrugës ka shpesh herë edhe në rrugën Kir-Shosh apo segmenti Fushë Arrëz – Iballë.

Autoritetet e emergjencave bën të mundur hapjen e rrugës nga tuneli i Murrizit deri në fshatin Bastar Murrizë.

Me mjete të larta të pajisura me zinxhirë kalohet edhe në zonat e thella të Lurës, Selishtës, Kalasë së Dodës, Ostrenit, Tërnovës, Martaneshit dhe Xibrit, ku trashësia e dëborës arrin mbi 25 cm.

Reshjet e dëborës nisën edhe në Krujë-Sarisalltik dhe Trau Dajt-Teleferik, dhe Llogara, ku është punuar me mjete borëpastruese dhe pas shpërndarjes së kripës, qarkullimi vazhdon pa probleme.

Situatë e përmirësuar paraqitet edhe në akset e rajonit jugor, Korçë-Ersekë, Boboshticë-Dardhë, Voskopojë, Qafë Thanë.

ARRSH u ka bërë një apel drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes të shtuar për shkak të ngricës në rrugë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë në zonat malore me prezencë dëbore.

Sa i takon ndërprerjes së energjisë elektrike, në qarkun e Shkodrës probleme ka në njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult, Iballe, Qafe Mali dhe Blerim.

Pa energji janë edhe disa fshatra në Korçë, Kolonjë, Pogradec, Maliq dhe Devoll.

Klan News