Në bashkinë e Mallakastrës ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës Hekal-Klos. Një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit i cili parashikon një ndërhyrje të plotë në të gjithë gjatësinë e rrugës. Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, ndoqi nga afër punimet, të cilat parashikohet të përfundojnë brenda tetë muajve, duke qenë kështu gati verën e vitit të ardhshëm.

“Nuk do të jetë thjesht një rrugë e cila shtrohet, por edhe zgjerohet. Zgjerohet nga 3.5 në 4.5 metra dhe nga ana tjetër kemi eliminimin e kthesave që është pjesë shumë e rëndësishme. Pastaj edhe pastrimin e kanaleve”.


Investimi në këtë rrugë lehtëson aksesin drejt Parkut Arkeologjik të Bylisit, ku vit pas viti është rritur numri i vizitorëve. Ndërkohë që tashmë në zonë ka nisur edhe hapja e njësive të para të agroturizimit.

“Dialog i hapur dhe i vazhdueshëm me banorët për ti shpjeguar atyre sesi funksionojnë edhe paketat mbështetëse për agroturizmin, edhe sesi mund të promovojmë më tej të gjitha vlerat e kësaj zone, që nuk ka të bëjë vetëm me agroturizimin edhe me parqet arkeologjike dhe nga ana tjetër të mos harrojmë që para së gjithash infrastruktura rrugore apo infrastruktura energjetike është në funksion të banorëve.”

Rruga Hekal-Klos ka një gjatësi prej afro 3 kilometrash, ky projekt synon zgjerimin saj si dhe rritjen e sigurisë rrugore përmes eliminimit të disa njollave të zeza që janë burime aksidentesh.

Klan News