Rënia e regjimit të Assad ka shkaktuar reagime të ndryshme nëpër botë.
Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump përshëndeti fundin e regjimit, duke shkruar në rrjetin social Truth se mbrojtësi i tij, Vladimir Putin humbi interesin për Sirinë, pasi ka 600 mijë ushtarë të vrarë e të plagosur në Ukrainë. Për Trump, tani janë kushtet e favorshme për zgjidhjen edhe të krizës siriane.
Presidenti francez, Emmanuel Macron përgëzoi popullin sirian për kurajën, ndërsa u shpreh se “të paktën shteti barbar ra”.
Ministria e Jashtme ruse tha se Asadi dha dorëheqjen dhe u largua nga vendi pas negociatash me disa pjesëmarrës në konfliktin e armatosur sirian, ku Moska, aleati i tij më besnik, nuk kishte marrë pjesë, duke i hapur rrugë një tranzicioni paqësor.
E ardhmja e Sirisë është e mbulua me pasiguri. Grupi ekstremist suni Hajat Tahrir al-Sham që drejtoi lëvizjen dy-javore rebele është vazhdim i frontit Al-Nusra, që ka kontrolluar gjysmën e vendit për disa vite pas nisjes së Pranverës Arabe në 2011-ën.
Ata janë partnerë të talebanëve afganë dhe kanë paralajmëruar vendosjen e Sheriatit. Organizata listohet si terroriste nga Shtetet e Bashkuara, BE, Rusia, Turqia, Irani e Izraeli. Pas rënies së Asadit, ushtria izraelite blindoi kufirin me Sirinë.
Tv Klan