Nuk pranon të mbyllë biznesin: Të ushqesh fëmijët nuk është veprim egoist
Pronarja e një biznesi në Teksas qëndroi një javë në burg, për shkak se salloni i saj i bukurisë ishte i hapur, pavarësisht masave të marra për mbylljen e çdo aktiviteti si pasojë e pandemisë.
Shelley Luther, u paraqit në gjykatë të martën dhe gjykatësi Eric Moyé u shpreh se ajo mund të evitonte burgun nëse kërkonte falje për veprimin e saj egoist, mbyllte sallonin dhe paguante një gjobë.
Por Luther nuk pranoi, duke thënë se të ushqesh fëmijët nuk është veprim egoist.
“Unë nuk pajtohem me ty zotëri kur thua se jam egoiste sepse ushqyerja e fëmijëve të mi nuk është egoizëm. Kam stiliste flokësh që kanë nevojë për të ardhura sepse duhet të ushqejnë fëmijët e tyre. Nëse mendoni se ligji është më i rëndësishëm sesa fëmijët që ushqehen, atëherë ju lutemi vazhdoni me masën tuaj. Por unë nuk do të mbyll sallonin“.
Luther u gjobit me 7,000 dollarë dhe u paralajmërua që do të gjobitet me 500 dollarë të tjerë çdo ditë, nëse biznesi vazhdon të mbetet i hapur.
“Ligjet janë ato që qeverisin. Njerëzit nuk mund ta vendosin dhe të përcaktojnë vetë, se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjnë”, u shpreh gjatë seancës gjykatësi../tvklan.al