Bashkimi Evropian duhet të rrisë rolin e tij në fushën e mbrojtjes, industrinë e armëve dhe të përmirësojë bashkëpunimin me NATO-n. Gjatë një vizite në Greqi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte nga diskutimi që pati me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis u shpreh se duhet të vazhdojë mbështetja ndaj Ukrainës.

“Ne duhet të forcojmë mbrojtjen tonë, duke përfshirë rritjen e investimeve dhe prodhimit të armatimeve. Lajmi i mirë është se ne kemi aleancën që na nevojitet për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit tonë. Mbështetja jonë për Ukrainën duhet të shkojë më tej për t’i dhënë një drejtim tjetër konfliktit”.

Mitsotakis dhe Rutte iu referuan gjithashtu nevojës për të forcuar mbrojtjen në Europë, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Rusi.

“Ne ramë dakord gjithashtu për një nga prioritetet themelore për të gjithë aleatët, nevojën për të forcuar mbrojtjen tonë. Një objektiv që kërkon një industri të fortë të mbrojtjes dhe investime të konsiderueshme. Shume herë kemi diskutuar edhe në Keshillin Europian, për një marrëdhënie më funksionale midis NATO-s dhe Bashkimit Evropian, në mënyrë që të forcohet aleanca.”

Rutte vlerësoi Greqinë për ndihmën në trajnimin e avionëve luftarakë F-16 për pilotët dhe teknikët ukrainas. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s  zhvilloi më herët takime me Ministrin e Mbrojtjes, Nikos Dendias dhe Ministrin e Jashtëm, Giorgos Gerapetritis.

Klan News