Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi u kërkoi bashkive që të marrin masa të menjëhershme për respektimin e afateve dhe kërkesave ligjore në lidhje zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Detyrimet që burojnë nga Kodi Zgjedhor kanë të bëjnë me publikimin e listave të zgjedhësve, njoftimin me shkrim të zgjedhësve dhe raportimin për vendndodhjen e qendrave të votimit.
KQZ ka konstatuar vonesa në afishimin e listave të zgjedhësve në disa bashki.
Po ashtu, ka vështirësi në aksesimin e zgjedhësve me aftësi të kufizuara ndërsa informacioni për caktimin e QV-ve dhe njoftimi i zgjedhësve ende nuk është raportuar.
Sipas Celibashit, procesi i njoftimit të zgjedhësve nuk ka filluar në shumicën e bashkive për shkak të mungesës së fondeve dhe modelit të njoftimit, ndërsa afati për përfundimin e tij është 6 Mars 2025.
Ministrisë së Brendshme i kërkohet lehtësimi i procesit të njoftimit të zgjedhësve për të siguruar që ky proces të realizohet brenda afateve ligjore.
Klan News