Javët që çuan në formimin e kabinetit të ri italian ngjanin me një telenovelë: deklarata dashurie, zënka, ngjarje të papritura.
Vetëm një javë më parë, kreu i lëvizjes Pesë Yje, Luigi Di Maio, u shfaq në televizion, duke paralajmëruar se do të nisë një procedurë ligjore kundër Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella, le të kujtojmë që kjo procedurë është e barabartë me akuzat për “tradhti të shkallës të lartë” ose “përpjekje kundër Kushtetutës”, pasi refuzoi të emëronte një ministër Ekonomie i cili i kishte shprehur hapur bindjet euroskeptike (profesor i ekonomisë, 82-vjeçari Paolo Savona).
Të premten më 1 Qershor, qeveria e formuar nga Lëvizja Pesë Yje dhe Lidhja e Matteo Salvinit u betua.
Çfarë ndryshoi në këto pesë ditë? Së pari performanca e tmerrshme e tregut italian të aksioneve dhe e obligacioneve qytetare (që arritën të martën normat më të larta të interesit që nga viti 2013) sigurisht kontribuan në zbutjen e qëndrimit të të dy palëve.
Së dyti, qëllimi i Presidentit Mattarella për të emëruar një qeveri teknike do të çonte në zgjedhje të parakohshme në mes të verës. Një zgjedhje që solli stuhi në tregjet financiare dhe me një pjesëmarrje më të ulët të të gjitha kohërave, nuk ishte në fakt interesante për askënd.
Megjithëse lëvizja Pesë Yje dhe Lega Nord mund të kenë marrë një mandat të ri popullor në zgjedhjet e reja, vendi mund të kishte qenë nën “gërmadha” deri atëherë.
Pra, ata u kthyen te Mattarella duke pranuar zëvendësimin e Paolo Savona me një ministër Ekonomie më pak euroskeptik (një tjetër profesor ekonomie, Giovanni Tria) dhe kjo ishte me pak fjalë e mjaftueshme.
Çfarë mund të themi për të vetëshpallurën “qeverinë e ndryshimit” përpara se ajo të fillojë aktivitetin e saj të politikëbërjes? Kjo padyshim fillon me një mandat të fortë popullor, por ka dyshime të mëdha nëse ekzekutivi do të mbajë premtimet e shumta.
Programi për të cilin ranë dakord lëvizja Pesë Yje dhe Lega Nord është plot me reforma të kushtueshme (ulje e moshës së pensionit, shkurtim i madh i tatimit mbi të ardhurat, të ardhura bazë për të papunët dhe pensione që arrijnë në shifrën 780 Euro në muaj etj.) që do kërkonin më shumë taksa. Optimizmi më të cilin shumica e votuesve e shikojnë qeverinë e re është për shkak të faktit se pothuajse të gjithëve iu janë premtuar disa përmirësime në aspektin ekonomik.
Por a mund të realizohet kjo? Është e qartë se disa premtime nuk do të zbatohen, disa do të zbatohen vetëm pjesërisht dhe qeveria së shpejti do të duhet të diskutojë se si do të mbulojë kostot e larta të programit të saj. Zgjedhja e vështirë mes alternativave mund të shkundë koalicionin e pazakontë.
Në shumë çështje, si infrastruktura, mbrojtja e mjedisit, emigrimi, të dyja palët kanë qëndrime të kundërta që nuk do të jenë të lehta për t’u përputhur. Deri tani, përshtypjet janë se Lega Nord, e cila ka qenë në pushtet në tre dekadat e fundit dhe ka një profil shumë më të qartë ideologjik, është më e mirë se lëvizja Pesë Yje për vendosjen e çështjeve të saj në axhendë. Ministrat e Lega Nord, janë gjithashtu me më shumë përvojë se ato të lëvizjes Pesë Yjet, asnjeri prej të cilëve nuk kishte përgjegjësi të këtij lloji më parë.
Një e panjohur e madhe është Kryeministri Giuseppe Conte. Deri më tani, ai ka qenë i kujdesshëm për të treguar besnikëri ndaj dy liderëve politikë që e përzgjodhën, por roli i tij do të kërkojë që herët a vonë, ai të tregojë se është udhëheqës.
Në përgjithësi është e vështirë të bëhen parashikime për bashkëveprimet e ardhshme mes tyre. Ky është eksperimenti i parë (të paktën në Itali) me një qeveri me anëtarësi “të përzier”.
Përbërja e kabinetit duket si një kompromis jo vetëm midis dy partive, por edhe midis qëndrimit të fuqishëm anti-themelim të Lega Nord dhe lëvizjes Pesë Yjet (ndoshta lidhja e vetme e fortë ideologjike mes tyre) dhe shqetësimet e Presidentit Mattarella rreth pozicionit të vendit në Evropë dhe çështjet ndërkombëtare. Për ta kuptuar këtë tension, mjafton të shohësh zgjedhjen e ministrit të Ekonomisë dhe ministrit të Punëve të Jashtme.
Emërimi i Giovanni Tria në vend të Paolo Savona, siç e përmenda më lart, ka për qëllim të risigurojë partnerët evropianë rreth angazhimit të Italisë për të qëndruar në zonën e Euros. Jo çuditërisht, pasi ai u betua, ai diskutoi se “asnjë parti politike në Itali nuk dëshirton të dalë nga Euro”. Në mënyrë të ngjashme, emërimi i Enzo Moavero Milanesi si ministër i Jashtëm, është një mënyrë për të ripohuar rolin e Italisë në BE dhe NATO.
A do të jenë këto emërime të mjaftueshme për të shmangur tensionet? A do të jenë në gjendje të bashkëpunojnë “blloqet e ndryshme” të kabinetit? Aktualisht, mund të vërejmë se përzierja e pazakontë duhet të jetë një recetë për tensionet. Nëse partitë që mbështesin qeverinë nuk i moderojnë pozicionet e tyre dhe nuk i zbusin kërkesat e tyre, përplasjet do të jenë të pashmangshme. Të gjesh se kush do fitojë dhe kush do të humbasë është një pyetje më e vështirë për të marrë përgjigje.
Burimi: Mattia Guidi, LSE
Përshtati: tvklan.al