“Kam kërkesa nga demokratët për të rivalizuar Trump”
Hillary Clinton nuk është 100% e bindur nëse nuk do të kandidojë kundër Donald Trumpit në zgjedhjet e 2020-ës. Duke folur në një intervistë radiofonike për BBC, Clinton shprehet se ka kërkesa të mëdha që ajo të garojë sërish nga radhët e demokratëve përballë Trumpit.
“Siç them unë, kurrë, kurrë, kurrë mos thuaj kurrë. Jam në trysni të madhe nga shumë shumë njerëz për t’a shqyrtuar këtë ide, por në këtë moment që jam ulur këtu në këtë studio, kjo nuk është absolutisht pjesë e planeve të mia”, thotë ish-kandidatja për presidente e SHBA.
72-vjeçarja, ish-Sekretare e Shtetit, të cilën Tramp e mundi me një diferencë të ngushtë në zgjedhjet e 2016-ës, thotë se kushdo që të fitojë në zgjedhjet vitit të ardhshëm, ka një detyrë të rëndësishme, të zhbëjë gabimet e rënda të bëra nga administrata aktuale.
Gara për kandidaturën e demokratëve ka nisur dhe po zhvillohet mes 17 kandidatëve kryesorë, në krye të të cilëve është Joe Biden. Edhe nëse vendos të kandidojë tani, Clinton do ta ketë të vështirë fitoren, pasi disa prej shteteve federale e kanë mbyllur regjistrimin për zgjedhjet paraprake, ku garojnë mes njëri-tjetrit kandidatët e partive të mëdha.
Tv Klan