Autoritetet kërkojnë ndihmën e Shqipërisë dhe Kosovës
Lugina e Preshevës është në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të virusit korona. Këtu kishte pak raste pozitive në COVID-19, por tani i gjithë jugu i Serbisë është përfshirë nga pandemia dhe ka arritur edhe tek shqiptarët. Rastet pozitive në numër janë ende të vogla, por shtrirja e virusit është e shpejtë. Autoritetet lokale thonë se masat janë marrë, por ftojnë qytetarët të kenë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet.
Në tërë Serbinë numri ka shkuar në rreth 23 mijë raste dhe mbi 520 të vdekur. Për shqiptarët gjendja është e rëndë për arsye se në asnjë zonë ku ata jetojnë nuk ka spital. Një qendër rehabilitimi në Bujanoc është kthyer në spital të përkohshëm. Politikanët shqiptarë thonë se u duhet ndihmë financiare pasi efektet e virusit do të ndjehen gjatë këtu. Ata kërkojnë reagimin e Shqipërisë pas Kosovës dhe një fond shqiptar për Luginën.
Një nga efektet kryesore për shqiptarët në Serbi që COVID-19 do të bëjë, padyshim është aspekti ekonomik pasi shumë aktivitete varen nga kthimi i diasporës dhe biznezet sezonale që tani janë të mbyllura.
Tv Klan