Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Mocioni për debat me kryeministrin i kërkuar nga Partia Demokratike ka kthyer mbledhjen e byrosë parlamentare, në sherrin e radhës mes mazhorancës dhe opozitës. Mocioni është dorëzuar paradite në Kuvend dhe kërkon, që pas debatit për raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, të miratohet një projektrezolutë kritike për qeverinë e kryeministrit Nano.

Mes kryetarëve të dy grupeve më të mëdha parlamentare, përkatësisht Gramoz Ruçi dhe Bamir Topi, janë shkëmbyer replika të forta nëse kryeministri Nano dhe qeveria e tij është e aftë të plotësojë kushtet e BE, për Stabilizim Asociimin e Shqiperisë.

Bamir Topi:- “Në rast se qeveria akoma nuk është e përgatitur për t’ju përgjigjur kritikave të KE, do të thotë, që ajo vërtetë meriton që të dorëzojë detyrën e saj, sepse detyrat para shqiptarëve ajo nuk i ka realizuar, aq më shumë detyrat e vendosura dy muaj më parë nga BE, jo që nuk i ka filluar, por nuk ka ndërmend që t’i fillojë”.

Gramoz Ruçi:- “Do dorëzojë qeveria çelësat apo jo, kjo s’varet nga opozita, varet nga pozita. Asnjë shpresë mos kini, pozita shqiptare, ka të gjithë vullnetin e mirë, dhe të gjithë mekanizmat kushtetues dhe procedural, që të qeverisë këtë vend, siç e ka qeverisur këto 7 vjet, me të drejtën morale për të kërkuar përsëri një mandat tjetër”.

Mocioni për debat me kryeministrin, për raportin e KE, do të jetë një provë për demokratët para se të dorëzojnë në Kuvend një mocion për tjetër, kësaj radhe për shkarkimin e kryeministrit Fatos Nano./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço