Lajme Arkiva 2004

Në seancën parlamentare  të pasdites kryeministri Fatos Nano deklaroi se procesi i integrimit me Bashkimin Evropian po  ecën normalisht. Ai pranoi se mund të  punohet edhe më mirë, por kurrsesi jo nga tipat e opozitës siç  i quajti  shefi i qeverisë. Kryeministri Fatos Nano është përgjigjur për qeverisjen dhe procesin e integrimit, i thirrur në mocion për debat nga opozita.

Fatos Nano: “Negociatat që kemi zhvilluar deri më  sot me Bashkimin Evropian  janë në   rrugë të mbarë. Natyrisht mund të ishte bërë më shumë. Por natyrisht, jo nga këta tipat, por të kuptohemi, jo gjithçka varet nga puna e një qeverie, madje jo vetëm nga puna e bërë nga të gjithë ne gjatë viteve  të pluralizmit, pasi e njohim mirë trashëgimin e krijuar ndërkohë që duhet shumë mund dhe punë   ta kapërcejmë”.

Raporti i kryeministrit u vijua nga komente dhe replika mes opozitës dhe ministrave të kabinetit, madje ka munguar shumë pak që mes deputetëve të minoracës dhe mazhorancës, të plaste grindja.

Sali Berisha: “Se ti në  vjedhje, babëzinë tënde me monopolet e tua private, me  monopolet private të dukëve, malajvitave, baxhve, maxhve të tu, me lidhjet e tua me krimin, me dhunimin e votës së lirë, me bllokimin e parlamentit je shkaku pengesa kryesore e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, je fatkeqësia e madhe kombëtare shqiptare, asnjë banditë i ulur aty nuk më impresionon mua. As banditët dhe as bandat e tyre. Rrini more servilë! Rrini more mjeranë! Mos turfulloni! Si bandë hajdutë dhe kleptokratë që i keni prurë shpirti në maj  të hundës njerëzve”.

Kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi: “Zoti Berisha respektoi etikën parlamentare!”

Sali Berisha: “Të mos më ndërprejnë këta ordinerë. Këta janë më zi se hajdutët ordiner. Këta janë një bandë kreptokratësh”.

Kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi: “Zoti Berisha  pa epitete, pa fyerja, jemi ë parlament këtu nuk jemi në  rrugë”.

Sali Berisha: “Në pritje të një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, sipas të dhënave të agjencive ndërkombëtare Duka, Maxhi, Poçi, Malajvita dhe klanet përreth shkarkojnë çdo javë në portet e Shqipërisë, 2 deri 5 anije me mallra kontrabandë’.

Kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi: “Zoti Pëllumb Berisha, ulu në vend të lutem! Zoti Berisha s’po të  dëgjojnë as të tutë zoti Berisha. Po dëgjoni të paktën kryetari tuaj!  Zotërinj deputet ju lutem uluni nëpër vende! Zoti Duka uluni ju lutem! Zoti Berisha koha e diskutimit tuaj ka kohë që ka mbaruar, ju lutem uluni tani, mos më detyroi t’ju mbyll mikrofonin”.

Anastas Angjeli: “Unë di të them se Berisha ka bërë kontrabandën me Millosheviçin. Unë di të them që Berisha ku i ka ato valixhet që ka marrë në Siri Lanka. Unë di të them, ku vajti Berisha, familja e Berishës në ’97 në Leçe. Unë di  ti them Berishës që mos ta kujtojë këtu Aristidhin, por ti them që ai do ishte si Aristidhi po të mos ishte ai Baçi atje që ja fali në ‘97, që ti ulet në gjunjë atij atje, se do kishte marrë helikopterin bashkë me ty e do ishte në fund të detit. Këto lloj  fjalësh unë di ti  them në fjalorin tim, por  un nuk i kam  në edukatë. Prandaj ta mbledhi mendjen Berisha “bisha”. Hajde mirupafshim!”

Bashkim Fino: “Më fal zoti Berisha, por ju e keni kthyer parlamentin në një Qerbela, së pari. Së dyti, (do ta them më vonë te kafja), së dyti ti je një demagog i çmendur që s’ka ilaç që mund të kuroj, bile-bile kur dëgjojnë fëmijët i zë frika. Dikur një mikut tuaj, se keni sot në grupin parlamentar, por është mik tuaj jetëgjatë, kur erdha në ‘97 më tha, si shkon me Berishën president, i thashë më duket njeri që e ndjen këtë që ka ndodhur sepse sa herë që koj në zyrën e tij e shoh vërtet të përlotur, e shoh të mbaruar e  të tjera-e të tjera. Ai miku tuaj më tha kështu shprehimisht, kujdes tha se Berisha është si puna e asaj nepërkës qe del pasi bie shiu, kur del dielli, të cilës po i preve bishtin përpëlitet dhe thua gjynah të ziut që i preve bishti, në momentin që gjenerohet bëhet i rrezikshëm për të ngrënë. Harram ndihma që  të kam dhënë në ‘97!”

Kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi: “Zoti Malaj”.

Arben Malaj: “Ti ke 7 vjet dhe nuk s’dorëzon dot një dokument. Çoje ku të duash, të paktën ministrat shqiptarë nuk janë bërë  lesh e li si ministrat e tu që të lanë në baltë. Janë të gjithë bashkë dhe kanë përgjegjësinë për ta ndërtuar këtë vend. Ministrat shqiptarë kanë edhe qindarkën të pasqyruar në internet që ta shikojnë të gjithë edhe shqiptarët që i votojnë edhe ata që ti i përmend këtu. Por ministrat e tu dhe ish  ministrat e tu janë duke bërë vilat e duke fshehur kokat. Dakord?! Dhe duhet të kesh parasysh që ne ta kemi bërë një nder , me politikat tona ne të kemi hequr TVSH-në e ilaçeve, por nuk mund ti pish ato pa mbarim.  Të shkuara doktor!”

Kryeministri Fatos Nano: “Më lejoni të them në mënyrë të përgjegjshme dhe zyrtare, prandaj solemne. Këtë njeri nuk e takon më askush”.

Sali Berisha: “Jo rastësisht reaguan ata që janë simbole të babëzisë, vjedhjes, shpërdorimit, Fatos Nano, Arben Malaj, Agron Duka dhe të famshmit Baçi dhe Maçi”.

Kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi: “Ulu zoti Mediu!”

Fatmir Mediu: “Unë  ritheksoj edhe njëherë me këtë veprim që po bëni kjo mazhorancë për fatin e keq po kthehet në mision të jashtëqitjes që përmendi zoti Islami”.

Kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi: “Po, po mor po, sa herë ju preket interesi ju gjithnjë për jashtëqitje flisni”.

Kastriot Islami: “Ka abuzuar me emra të ndryshëm udhëheqësish deri te i fundit.  Në mënyrë abuzive është futur te delegacioni i presidentit dhe mua më vjen zor ta përmend këtu  dhe paturpësisht kritikon…”

Fatmir Mediu: “Ti s’di as protokoll shteti, ti je një copë servili i atij që ke të njëjtën gjatësi…”

Kastriot Islami: “Ti je një njeri abuziv, se ti je kryetari i Komisionit të Integrimit i zgjedhur me konsensus…”

Pas katër orë debatesh, opozita bojkotoi seancën pasi kryeministri dhe një pjesë e kabinetit nuk ishin të  pranishëm në sall, por menjëherë më pas ata u kthyen sërish./tvklan.al