Komisioni parlamentar i sigurisë kombëtare ka vazhduar mes debatesh shqyrtimin e projektligjit për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Shtetit. Ashtu si edhe në qëndrimet e shprehura gjatë këtyre ditëve në prani edhe të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi përfaqësuesit e opozitës kanë ngritur shqetësimin se SHKB-ja rrezikon të politizohet e për pasojë nuk do të mund të kryejë hetime të paanshme.
Por kreu i Policisë së Shtetit në sqarimet e dhëna ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës, duke nënvizuar rëndësinë që ka miratimi i një ligji të plotë për SHKB-në.
Ahmet Premçi: “Askush nuk do të ketë frikë ose të shmanget nga hetimet që kryhen, sidomos për ne punonjësit e policisë duke filluar nga unë deri tek polici më i thjeshtë. Në qoftë se ka akt korruptiv, në qoftë se punonjësi i policisë ka shkelur ligjin, ka kryer një krim ose përgatitet të kryejë një krim, absolutisht të hetohet. Më mirë të hetohet në mënyrë procedurale, në mënyrë krejt të rregullt se sa të krijojmë opinione fantazmë siç është vepruar ndonjëherë.”
Piro Lutaj: “ Në projektligj nuk janë parashikuar mekanizmat që e kontrollojnë shërbimin e kontrollit të brendshëm, nuk u bën përshtypje ju, zoti drejtor që shërbimi i kontrollit të brendshëm nuk ka një strukturë që ta kontrollojë, por janë strukturat legale të ministrit që flitet për inspektimin e ministrit dhe për … se Drejtori i Përgjithshëm i SHKB-së ka të njëjtën gradë me ju, grada e Drejtorit të Përgjithshëm njihet vetëm për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe për atë funksion.”
Gjatë diskutimit, përfaqësuesja e prokurorisë kërkoi që ky draft të shqyrtohet si paketë e plotë së bashku me projektligjet që po hartohen me prokurorinë, policinë gjyqësore edhe ndryshimet në kodin e procedurës penale, por kjo nuk u pranua nga përfaqësuesit e SHKB-së pasi secili ligj ka specifikën e tij. Komisioni miratoi 14 nenet e parë të draftit dhe do të vazhdojë me pjesën tjetër ku janë edhe disa nga nenet m ët debatuara./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama