Mjeku Agron Lala, shefi i Urgjencës në Spitalin e Kurbinit, është proceduar penalisht në gjendje të lirë për shpërdorim detyre pas denoncimit në emisionin “Stop”.

Policia thotë se nga materialet filmike të transmetuara në Tv Klan dyshohet se si pasojë e mosveprimit në kohë dhe sipas protokolleve spitalore të 59-vjeçarit, ka humbur jetën në spital, pacienti Fatjon Lami, 38 vjeç.

“Në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po hetohet për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat dhe përgjegjësitë mbi këtë rast”, njoftoi policia e Lezhës.

Rastin e rëndë në Laç, e denoncoi në “Stop”, Feriz Lami, babai i viktimës. Ai tha se në korrikun e vitit të kaluar, i biri humbi jetën pasi u ndje keq teksa vadiste misrin.

I riu shfaqi probleme shëndetësore, që tani i atribuohen një infeksioni të minjve. Sipas familjarëve, ai u pranua së paku tre herë nga Urgjenca e Spitalit të Kurbinit, ku kreu disa trajtime pa asnjë ekzaminim mjekësor.

Më pas u dërgua në Infektivin e Tiranës me vonesë në gjendje kome, ku fatkeqësisht humbi jetën.

Ferizi tha se të birit i bënë vetëm serume dhe temperatura nuk i binte. Ndërkohë një tjetër banor i zonës, që u kurua në kohë sot është në jetë.

Për rastin vetë Agron Lala, shefi i Urgjencës në Laç pranoi se është neglizhuar./tvklan.al