Berisha u paraqit në SPAK nën brohorimat e mbështetësve.

Kryetari demokrat repektoi vendimin e Apelit “detyrim paraqitje”, ku qendroi në SPAK jo më shumë se 7 minuta. Theksoi se ky vendim do t’i shtojë votat në zgjedhjet e 11 Majit

“Vendosa të zbatoj vendimin sepse ka një proces parlamentar të pseudo-mazhorancës kundër meje, e cila autorizoi drejtësinë, unë nuk mund të them se nuk ekziston ajo, pavarësisht se ishte antikushtetues, por ishte një proces parlamentar. Kjo masë sigurie do më shtojë më shumë votat sepse u faktua kjo”, u shpreh Berisha para mediave në oborrin e SPAK.

Para mediave lëshoi disa akuza ndaj kreut të Prokurorisë së Posacme dhe ish-ministrit të Brendshëm, Taulant Balla. Për Dumanin deklaroi se ka marrë 1 milionë Euro.

“Krimi më i shëmtuar i tyre është përdorimi i dosjeve për të prerë gjoba. Nuk e pyeti Ymer Lalën për vrasjen e denoncuar nga Luftim Reçi, sepse i mori, thonë këta, 1 milion Euro dhe kjo është një gjë e tmerrshme”, shprehet kryedemokrati Berisha.

Ballën e akuzoi se urdhëroi arrestimin e Çapjave për në këmbim të votave,

“Sipas këtij premtimi u arrestuan Çapjat me kërkesë të Çelëve. Kjo është e vërteta. Ata shkuan në burg në Mars të vitit 2021, para zgjedhjeve, në mënyrë që Tao të dilte kampion i votave në Elbasan”, tha Berisha.

Pasi la SPAK-un Berisha iu drejtua selisë së Partisë Demokratike ku doli sërish para mediave. Premtoi se kur opozita të vijë në pushtet do të përgjysmoje taksat për naftën!

“Garantoj shqiptarët se ngarkesa fiskale mbi naftën, që është mbi qytetarët, do të njohë një rënie drastike. Do të përgjysmohet”, tha Berisha.

Ripërsëriti premtimin se minimumi jetik do jetë 200 Euro dhe do të ketë rritje të pensioneve e rrogës minimale.

Për votën e diasporës Berisha bëri të ditur se nuk ka ende statistika, por u shpreh entuziast për takimet që janë zhvilluar në disa shtete.

“Për votën e diasporës, nuk kam statistika. Dhe ne vazhdojmë takimet, natyrisht jo në salla luksoze sepse, thashë ne nuk kemi, me të ardhurat tona modeste, por atmosfera është e shkëlqyer”, shprehu kryedemokrati Sali Berisha.

Berisha deklaroi se shqiptarët e diasporës mezi po presin 11 Majin për të rrëzuar siç tha ai dikaturën.

Klan News