Për t’i ardhur në ndihme personave që kanë nevojë për gjak, çdo qytetar mund të deklarojë vullnetarisht në e-Albania grupin e tij të gjakut. Kështu sa herë do duhet kontributi i tij do të njoftohet elektronikisht.
Për Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, kjo risi pritet të shtojë dhurimet vullnetare.
“Kjo e bën më të lehtë kontaktin tonë me ata persona të interesuar të cilët jo vetëm kanë atë grup që ne kërkojmë por kanë edhe dëshirën e mirë për të dhuruar gjak”, thotë mjekja transfuziologe Riana Gjeta.
Pavarësisht interesit në rritje të dhurimeve vullnetare vit pas viti, dominojnë dhurimet për familjarët.
Kërkesat më të mëdha për gjak janë nga pacientët me talasemi, të cilët kanë nevojë për thuajse 30 dhurime në ditë.
“Pacientët me talasemi e kanë nevojë jetike, sfida për të gjetur gjak të pajtueshëm dhe cilësor është më e rritur krahasuar me një pacient që do të transfuzohet vetëm një herë për shembull”, thekson Gjeta.
Me nisjen e fluksit të pushuesve, edhe nevojat për gjak shtohen, kjo për shkak të shtimit të aksidenteve.
“Nevojat për gjak nuk shkojnë asnjëherë për pushime, u bëjmë thirrje të gjithë personave të bëjnë këtë gjest, 15 minuta mjafton sidomos në këtë periudhë të verës ku shtohen nevojat për gjak për shkak të aksidenteve”.
Nevojat janë për të gjitha grupet, por sidomos për grupin 0, që përshtatet për çdo lloj gjaku.
Tv Klan