Policia e shtetit ka pranuar faktin se efektivë të saj në komisariatin e Dibrës kanë thyer rregullat në ngjarjen e disa ditëve më parë në Peshkopi, ku një 15-vjeçar u hodh nga kati i tretë i këtij komisariati dhe denoncoi policinë për ushtrim dhune. Eduard Lleshi pësoi fraktura të rënda. Kjo ngjarje u analizua nga policia dhe Avokati i Popullit dhe pas kësaj Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Premçi tha se janë marrë administrative ndaj 6 policëve të policisë së Dibrës.
Ahmet Premçi: “Nga gjithë investigimet e kryera dhe veprimet e kryera nga ekspertët vërehet se punonjësit e policisë kanë shkelur normat procedurale për marrjen në pyetje të personave ndaj të cilëve zhvillohen hetimet. Kanë shkelur procedurat e evidentimit dhe regjistrimit të personave që shoqërohen në ambientet e policisë. Këto bien ndesh me kodin e procedurës penale dhe rregulloren e disiplinës së policisë së shtetit. Lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur prokuroria e Dibrës ka nisur një hetim dhe ne do të presim vendimin përfundimtar të organit të akuzës.”
Masat e marra ndaj këtyre punonjësve u bënë publike në një konferencë të posaçme për shtyp të kreut të policisë së shtetit dhe Avokatit të Popullit. Po ashtu u konstatuan shkelje procedurale për shoqërimin dhe marrjen në pyetje të të miturve ndërkohë që çështjen po e heton edhe prokuroria e Dibrës./tvklan.al