3 ditë pas grabitjes me armë të makinës së postës në Lezhë, qyteti i vogël në veri të vendit ndodhet ende në pasiguri. Ngjarja me protagonistë njerëz me maska dhe të armatosur, të cilët në mes të ditës dhe në mes të qytetit grabiten 5 milionë lekë, ka rritur shqetësimin tek banorët, por edhe ulur ndjeshëm kredibilitetin tek policia pasi përgjegjësit për këtë ngjarje ende nuk janë prangosur.
Rasti ka shqetësuar dhe krerët më të lartë të shtetit. Drejtori i përgjithshëm i policisë Ahmet Prençi i cili ndodhet jashtë shtetit për takime pune, konfirmoi në telefon për televizionin Klan se ngjarja do te analizohet hollësisht dhe nga drejtoria e përgjithshme, për të arritur në një konkluzion, si dhe për të vënë para drejtësisë autorët e grabitjes së punonjësve të postës në qytetin e Lezhës.
Grabitja e së enjtes në mes të ditës tronditi qytetin e vogël, si dhe ka ngritur shumë pikëpyetje mbi parametrat e sigurisë dhe rendit publik. Madje ka dhe nga ata banorë të cilët shprehen se policia po favorizon kriminelët, dhe jo në pak raste duke u bërë palë me ta.
Policia ka shoqëruar dy persona njëri prej të cilëve pronar i makinës së djegur e cila u gjet në fshatin Tersh të Lezhës, por ende nuk ka bërë të ditur identitetin e tyre dhe as të hedhë dritë mbi vërtetësinë e fakteve.
Kjo ka shkaktuar konfuzion tek qytetarët e Lezhës të cilët edhe pse në një qytet të vogël nuk ndihen të sigurt. Pikëpyetja që ngrihet pas kësaj ngjarje, mbetet ajo se si tre persona të armatosur dhe me maska arritën të grabisin shumën e parave dhe patën kohën e mjaftueshme për t’u larguar pa shqetësimin e askujt./tvklan.al
Gazetar: Julian Kasapi