Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, ndonëse i rezervuar mbi vrasjen tronditëse të deputetit Fatmir Xhindi, zbuloi disa detaje mbi hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje, në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, në Televizionin Klan.
Zoti Prençi pohoi se deputeti është qëlluar nga një person i vetëm, fillimisht nga një distancë prej 8 metrash, e më pas nga afër. Ndërsa në lidhje me hetimet, kreu i policisë deklaroi se për zbardhjen e ngjarjes po punojnë me intensitet mbi 100 persona, se deri më tani janë marrë në pyetje mbi 30 vetë dhe se në vendin e ngjarjes, dy provat kryesore të cilat dyshohet të jenë të autorit, janë një tabletë me aspirina dhe një qese plastike.
Ahmet Prençi: “Në momentin që ai ka dalë mbrapa makinës tek bagazhi i tij është qëlluar mbrapa shpine, dmth distanca e viktimës me autorin mendoj të ketë qenë fillimisht rreth 7-8 metra dhe më pas më afër.”
Blendi Fevziu: “Është qëlluar me breshëri?”
Ahmet Prençi: “Është qëlluar me breshëri, viktima ka 6 plumba në trup ndërkohë që në ngjarje janë fiksuar 15 gëzhoja, që i përkasin armës automatike, janë fiksuar një tablete me aspirina që mendohet që është e autorit, një qese plastike që edhe kjo mendohet që e ka poseduar autori deri në momentin e kryerjes së krimit, si dhe janë fiksuar të gjithë gjurmët që autori ka lënë.”
Blendi Fevziu: “Ka qenë një autor apo shumë autor në gjykimin tuaj?”
Ahmet Prençi: “Në ekzekutimin e viktimës ka qenë një autor, deri më sot janë pyetur rreth 30 e ca dëshmitarë.”
Gjithashtu, numri një i policisë së shtetit, deklaroi se nga hetimet e deritanishme rezulton se deputeti Xhindi nuk ka marrë asnjë kërcenim dhe se nuk ka patur probleme me persona të tjerë.
Ahmet Prençi: “Ne nuk disponojmë asnjë informacion ose ankim të të ndjerit për kërcënim.”
Blendi Fevziu: “A ka pasur informacione të marra në rrugë operative nga policia e shtetit apo shërbimi informatov që mund t’ia përcjelli policisë që jeta e deputetit ose e ndonjë të afërmi të tij ka qenë e kërcënuar? ”
Ahmet Prençi: “Jo. Kur deklaroj që nuk kemi disponuar asnjë informacion, që jeta e deputetit është e rrezikuar, nuk kemi asnjë ankesë që atij i vinte ndonjë rrezik nga një rrethanë apo një tjetër, unë mendoj që angazhimi i policisë ka filluar pas ngjarjes.”
I rezervuar mbi këtë ngjarje për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha, se mbi këtë vrasje janë ngritur shumë versione dhe se po hetohet në më shumë se katër pista, por pa i bërë publike ato.
Blendi Fevziu: “Në të vërtetë është thënë që janë katër pista?”
Ahmet Prençi: “Në të vërtetë kanë qenë më shumë dhe jo vetëm specialistë të policisë, ose të prokurorisë kur ndodh një ngjarje ngrenë pistat menjëherë, por dhe një qytetar i thjeshtë kur merr vesh një ngjarje që ka një njohje me të dëmtuarin, ngre versionet e tij. Detyrimisht dhe policia e shtetit ka ngritur shuam versione që në momentin që ka ndodhur ngjarja dhe ne me punën që po bëjmë verifikojmë çdo version të ngritur nga grupe të caktuara pune që verifikojnë, kryejnë hetime me qëllim, që o të përjashtohet versioni, ose të vazhdohet të thellohet më tej hetimi, kështu që…”
Blendi Fevziu: “Po hetohet në disa pista?”
Ahmet Prençi: “Nga shumë versione që ne kemi ngritur fillimisht tashëm jemi përqendruar në më pak versione se sa kishim fillimisht, sigurisht.”
Po kështu, zoti Prençi tha, se autori gjendet ende brenda territorit të Shqipërisë dhe se policia nuk do të nxitohet të bëjë arrestime pa u vërtetuar me prova të pakontestueshme autorësia./tvklan.al