Axhenda e takimit Bushati-Kotzias vijoi këtë të shtunë në Korçë në ditën e dytë të bisedimeve për çështjen e mbetura pezull. Palët kanë qenë tejet diskrete, sa i përket ecurisë së bisedimeve të një dite më parë, ku pas 4 orë negociatash, dy minitsrat darkuan në një restorant afër pazarit.
Progres raportohet të jetë bërë lidhur me shfuqizimin e ligjit të luftës, pronat apo problemet konsullore. Më e vështirë konsiderohet çështja e kufirit detar, ku ende nuk ka të dhëna se në ç’pikë kanë avancuar negociatat.
E vetmja çështje që tashmë konsiderohet e tejkaluar pas vendimit të qeverisë shqiptare është ajo e varrezave për ushtarët greke të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku pritet të nisë zbatimi i marrëveshjes mes dy vendeve. Burime i thanë Televizionit Klan se po negociohet për një takim mes kryeministrave Rama e Cipras në muajin Prill.
Por teksa delegacionet e dy vendeve rinisën bisedimet, përpara hotelit ku zhvillohej takimi qytetarë nga Lezha protestuan për rastin e Pëllumb Marnikollajt, i cili humbi jetën gushtin e dy viteve më parë teksa mbahej i arrestuar në një komisariat të Athinës.
Ekspertiza doli në përfundimin se i riu vdiq pasi u hodh nga një lartësi e madhe, por familjarët nuk janë të bindur në vërtetësinë e saj. Me pankarta në duar ata kërkuan zbardhen e ngjarjes dhe vënien e autorëve para drejtësisë.
Tv Klan