Presidentja e Forumit të Grave të PPE, Doris Pack është shprehur se McAllister është ndërmjetësi i duhur për të bindur palët për “qeverinë e zgjedhjeve.” Këtë deklaratë ajo e ka bërë gjatë Bordit Drejtues të Forumit të Grave të Partive Popullorë Europiane që u mbajt këto dy ditë në Bruksel nën kujdesin e Presidentes Doris Pack.

Pack shprehu shqetësim për qeverisjen e lidhur me krimin në Shqipëri dhe qortoi heshtjen e diplomatëve të huaj. Ajo kritikoi qëndrimin e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë gjatë vizitës së tij në Tiranë.

“Ajo çfarë po ndodh në Shqipëri aktualisht është një çmenduri. Vendi  i mbushur  i gjithi me drogë, një rrezik jo vetëm për kthimin e Shqipërisë në vend kryesor për prodhim dhe eksport droge, por për mjedisin ku rriten fëmijët shqiptarë,” u shpreh Pack.

 “Në Parlament dhe administratë mbahen me dhjetëra persona me rekorde kriminale se kanë paguar për pushtetin e Ramës, ndërkohë profesionistët hiqen nga puna për bindje politike” — deklaroi Pack. 

Ajo përgëzoi lidershipin e PD-së për manifestimet paqësore dhe shprehu bindjen se në kushtet aktuale ku ndodhet Shqipëria, krijimi i Qeverisë Teknike që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, mbetet zgjidhja e vetme.

Pack përshëndeti kërkesën për zgjidhjen e situatës me ndihmën e Partisë Popullore Europiane dhe shprehu besimin e plotë se Zv Presidenti i Parlamentit Europian McAllister si ndërmjetësi i duhur për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.‎ 

Në këtë takim mori pjesë deputetja e Partisë Dmeokratike dhe Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi.​ 

*Njoftimi për deklaratën e Doris Pack u shpërnda nga zyra e Partisë Demokratike.

/tvklan.al