Anduena Llabani: “Zoti Hughes kush është qëllimi i vizitës tuaj në Shqipëri?”

Bill Hughes: “Ne kemi një bashkëpunim të mirë dhe te vazhdueshëm me autoritetet shqiptare, veçanërisht me policinë. Po punojmë së bashku edhe për një marrëveshje binjakëzimi duke i ndihmuar ata të përmirësojnë aftësitë për të luftuar krimin e organizuar dhe të rëndë. Prandaj jam këtu sot për të rikonfirmuar mbështetjen tonë të vazhdueshme.”

Anduena Llabani: “Kjo është vizita juaj e parë?”

Bill Hughes: “Kam qenë në rajon, në Jugosllavi, Bosnje Hercegovinë. Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe për mua është shumë interesante.”

Anduena Llabani: “Ju bashkëpunoni dhe me 40 shtete të botës, polici të shteteve të botës, është i njëjti bashkëpunim dhe me policinë shqiptare?”

Bill Hughes: “Është një marrëdhënie e mirë. Policia shqiptare ka ecur shumë në një kohë të shkurtër krahasuar me vende të tjera që ne punojmë dhe punojnë me shumë pasion dhe përkushtim. Ata po punojnë aq mirë sa ka rëndësi që vende të tjera të shohin si kanë përparuar ata. Prandaj ky është vend ka shumë rëndësi për ne dhe më të cilin ne shpresojmë një marrëdhënie të gjatë e të frytshme.”

Anduena Llabani: “A është për ju shqetësues ekzistenca e krimit shqiptar në Britaninë e Madhe?”

Bill Hughes: “Krimi i organizuar shqiptar është një problem për ju dhe vende të tjera. Në shumë aspekte nuk jeni ndryshe nga vendet e tjera. Këtë problem e kanë edhe ata me qytetarë të tyre që kryejnë krime në vende të ndryshme ku jetojnë. Por ka pasur shumë krime të organizuara nga shqiptarë dhe duhet të merremi me këtë. Por edhe policia shqiptare dhe vendi juaj duhet të merren me këtë. Prandaj po punojmë së bashku që të reduktohen mundësitë për kriminelët.”

Anduena Llabani: “A ka ekzagjerime në mediat britanike për krimet e kryera nga shqiptarët në Angli?”

Bill Hughes: “Ka shumë shqiptarë në Britani dhe ata janë të mirëpritur sepse janë punëtorë, të ndershëm. Në çdo komunitet në botë ka dhe kriminelë që shfrytëzojnë bashkatdhetarët e ligjshëm për tu fshehur pas tyre e për të ngelur anonime. Prandaj ka rëndësi që të punojmë me komunitetin shqiptar në Britani siç punojmë me vende të tjera kundër kriminelëve britanikë në botë që ti zbulojmë e ti luftojmë siç duhet. Një nga gjërat që na shqetëson është se kriminelët shqiptarë në Britani merren shumë me trafik droge e emigracion të paligjshëm që janë probleme kryesore për Britaninë e për agjencinë tonë. Në Britani ka edhe kriminelë nga vende të tjera. Prandaj sa më shumë të bashkëpunojmë me të gjitha vendet nga vijnë ata aq më mirë do ti zgjidhim problemet.”

Anduena Llabani: “A janë ata të rrezikshëm për ne?”

Bill Hughes: “Po. Ata janë të rrezikshëm për ju sepse ata merren me krimet më të rënda, trafik droge,  njerëzish e armësh zjarri dhe vrasje. Krimi i organizuar mundohet të korruptoje drejtësinë e qeveritë. Këto janë probleme kudo në botë ku operoni. Prandaj nuk duhet të lini që krimi i organizuar të fuqizohet shumë  sepse mund të shkatërrojë vendin.”

Anduena Llabani: “Ne ditët e fundit kemi pasur dhe zgjedhjet elektorale. Keni një mesazh për qeverinë e re shqiptare?”

Bill Hughes: “Jam polic e jo politikan, por e ndjek me interes. Ka rëndësi që kushdo që vjen në qeveri të ndjekë çështjet që kanë rëndësi për pranimin në BE. Studimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit kanë shumë rëndësi dhe i tregojnë popullit se qeveria po ecën në rrugën e duhur drejt integrimit në BE e që po siguron të ardhmen e vendit.”/tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani