Muaji Gusht pritet të sjellë dyndje pushuesish në plazhet e Durrësit. Sipas operatorëve turistikë hotelet dhe resortet jo vetëm në qytet, por përgjatë gjithë vijës bregdetare të Adriatikut janë të rezervuara nga vizitorë të shumtë.
Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë shqiptarë të diasporës të cilët kanë zgjedhur ti kalojnë pushimet verore në vendlindje.
Blerim Norja, operator turistik: Muaji Gusht parashikohet të jetë i mirë, pasi muaji Gusht është edhe muaji që parashikohen të vijnë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë në Zvicër, në Gjermani dhe e kanë si muajin e pushimeve. Pra muaji Gusht parashikohet që për të gjitha hotelet të jetë një muaj shumë i mirë.
Edhe këtë muaj pritet të vijojë trendi i zgjerimit të hartës së turistëve të huaj. Edhe këtë vit ka shumë turistë të huaj që vijnë për herë të parë në Shqipëri.
Blerim Norja, operator turistik: Po shtohen pushues nga vende të ndryshme, të cilët e shohin Shqipërinë si një destinacion turistik interesant, pra Shqipëria po vizitohet pasivisht nga shtetasit polakë, çekë, sllovakë, por nuk mungojnë edhe shtetasit francezë të cilët kanë filluar të futen masivisht dhe pritet që në vazhdim të futen edhe turistët anglezë, të cilët mund të jenë një “boom” për turizmin shqiptar, të cilët konsiderohen si turistë shumë të mirë.
Operatorët turistikë parashikojnë që e njëjta situatë pritet të vazhdojë edhe në muajin Shtator, me hotelet dhe resoret do të jenë thuajse të rezervuara plotësisht nga vizitorë vendas dhe të huaj.
Klan News