#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

Hyri në maternitet për të lindur e doli me krahët bosh: Fëmija vdiq në muajin e tetë

Diana është bërë pjesë e rubrikës “Ka Një  Mesazh Për Ty” me një histori sa frymëzuese, aq edhe të vështirë. Për të na njohur me të, ajo e nis rrëfimin e saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan me një nga ngjarjet e forta të jetës, mësimin se babai që e rriti s’ishte ai biologjik. Por pavarësisht se nuk kanë lidhje gjaku, Diana është mirënjohëse e krenare për të dhe nënën e tij.


Diana: Babain tim biologjik nuk e njoha kurrë sepse prindërit e mi u ndanë kur isha një muajshe dhe për fatin e mirë, mamaja ime gjeti njeriun e duhur që të kalonte jetën. Unë nuk e dija që babai im që më rriti nuk ishte babai im biologjik.

Ardit Gjebrea: Kur e more vesh?

Diana: E mora vesh kur më duhej një certifikatë.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe?

Diana: Mund të isha 10 vjeçe. Në atë kohë mora vesh që nuk ishte babai im, por ai është, ai më rriti. Ai jo se më rriti vetëm mua i dashur Ardit,  ai më rriti edhe dy fëmijët e mi. Fëmijët e tij atje u rritën. Motrat  i kam të shkëlqyera, kam vetëm një vëlla që e dua shumë dhe gjithmonë jam krenare për mamanë time që na rriti me duart e saj, punonte natë e ditë pavarësisht se ishim shumë fëmijë, por ishim të veshur jëri  më mirë se tjetri. Makinë qepëse nuk kishte, por i qepte me dorë rrobat që të ishim të veshur.

Në moshën 14-vjeçare, Diana nisi studimet për Agronomi dhe u njoh me gjysmën e zemrës, Robertin. Ai ishte 16 vjeç dhe do  të shkonte në ushtri e pas ca mosmarrëveshjesh të vogla, u poqën rrethanat që ata të ishin bashkë. Ende pa bërë 18 vjeçe, Diana mbeti shtatzënë por s’qe fort e lehtë.

Diana: Ngela shtatzënë. Këtu fillon historia ime e dhimbshme.

Ardit Gjebrea: Pse?

Diana: Nuk kishim të ardhura. Me sakrifica të mëdha që bënte burri im, ia kalonim.

Ardit Gjebrea: Si shkoi shtatzënia?

Diana: Shumë keq, kisha shumë dhimbje. S’kisha as dy ditë që kisha hyrë në muajin e tetë. Shkuam në spital, për fat të keq doktori më tha që fëmija yt është i vdekur, do të bësh lindje të parakohshme. Këtu publiku i dashur është më shumë gra, ju e dini që të hysh në maternitet për të lindur dhe të dalësh pa  fëmijë ,është gjëja më e dhimsbhme që mund të ketë një nënë. Shkova në shtëpi, kam  kaluar një traumë, gjithmonë e mërzitur,qaja.

Dhimbja e së shkuarës ka mbetur pas. Sot Diana është nënë e dy djemve, Elderinit dhe Orgestit.

“Doja të vdisja!” Thuajse iu dorëzua tumorit, Diana para sfidës për jetën: U futa e dola nga dheu!

Diana e gjeti dashurinë e jetës së saj, Robertin kur ishte vetëm 14 vjeçe e ai 16. Ata vendosën të ndërtonin jetën bashkë, por në moshë fare të re, Diana mori një nga goditjet e para të jetës,  humbjen e fëmijës ende në bark. Ajo tregon në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se edhe dy shtatzënitë  që pasuan prej të cilave ka dy djem, ishin mjaft të vështira.

Pas rënies së regjimit të diktaturës, motra i ofroi të shkonte në Itali  ku ajo e Roberti jetojnë edhe sot. Çifti ka qenë i lumtur së bashku, por Diana është gjetur disa herë në beteja të forta shëndetësore në të cilat Roberti s’e ka lënë kurrë vetëm.


Diana: Në 2005 kam bërë operacionin e parë me tumor. Kaloi një periudhë e vështirë, e mora veten, u bëra mirë. Atje, për fat, fillova të punoja. 

Ardit Gjebrea: Po bashkëshorti, Roberti?

Diana: Vete e vjen, Roberti më shumë rri këtu sesa atje. Por gjëja më e tmerrshme është se në 2013-ën m’u shfaq prapë tumori, akoma më keq se më përpara dhe tumor agresiv që doktorët nuk më dhanë shpresë.

Ardit Gjebrea: Kush të shërbente, kush të qëndronte pranë?

Diana: Në atë moment, Roberti rrinte pranë, madje ai flinte me legen, më falni për këtë shprehje, me legen te koka, unë flija në krevat, ai rrinte poshtë me legen. Bëra një kimioterapi që edhe një armiku nuk ia uroj këtë gjë. U futa në dhe dhe dola nga dheu! Aq e vështirë ishte sa u thosha fëmijëve nuk dua ta bëj më, dua të vdes! Çunat më thoshin “Çfarë? Ne të marrim me gjithë krevat e të çojmë në spital, ti do të jetosh për ne!”

“Humba kujtesën, mbaja mend vetëm mamin”/ E trembur, Diana i kërkon Robertit një premtim

Diana ka organizuar një surprizë emocionuese për Robertin, shpirtin e saj binjak në “Ka Një Mesazh Për Ty” duke shprehur mirënjohjen për mbështetje të pakufishme që ka marrë nga ai gjatë gjithë jetës së tyre. Ajo ndau me rubrikën e së “Dielës Shqiptare”në Tv Klan momentet e vështira shëndetësore kur ka përjetuar frikën dhe pasigurinë, por ka gjetur ngushëllim dhe forcë tek burri i saj.

Por ajo ka vetëm një kërkesë për të. Edhe pse jetojnë në Itali, Roberti është shumë i lidhur me Shqipërinë e vjen shumë shpesh. Së fundmi, ai shpreson që të mund të përkushtohet në forcën politike në të cilën beson dhe të kthehet në Shqipëri. Diana s’është dakord e ka ardhur t’i bëjë një kërkesë, sidomos pas një episodi shumë të vështirë që i ndodhi një javë më parë.


Diana: Më fal që të lashë 2 net pa gjumë, por jam e lumtur që të bëra këtë surprizë dhe të them, ti e di, ne kemi 45 vjet bashkë, 41 vjet të martuar dhe 45 vjet që njihemi, që jetojmë bashkë. Ne të dy nuk jemi vetëm burrë e grua, ne më shumë jemi si shokë, si një familje e lumtur, pavarësisht se kemi vuajtur shumë se kemi dy djem të shkëlqyer, dy nuse shumë të mira që edhe e dyta po na jep nipin, me 4 nipër të shkëlqyer. Unë ta bëra këtë surprizë se ti meriton çdo gjë në jetë, se ti ke bërë shumë për mua, shumë fare. Kur unë kam vuajtur, ti gjithmonë ke qenë pranë meje. Unë kam fjetur në krevat dhe ti ke fjetur poshtë në tokë…

Robert: Gjithë burrat e kanë për detyrë!

Diana: Jo, jo nuk janë të gjithë burrat që e kanë për detyrë këtë, por ti e di se çfarë më ndodhi mua para  një jave. Nuk ta thashë Ardit, e lashë për ta thënë tani në fund. Para një jave, mua më ndodhi një gjë shumë e çuditshme. Vajta te doktoresha ime e familjes për të shkruajtur ilaçet. Atje, ajo më pa që nuk isha mirë. Më mati tensionin dhe tensionin e kisha të lartë. Më dha një gjë për t’u qetësuar. Pastaj unë ngadalë-ngadalë ika që aty, nuk po më kujtohej asgjë. Në atë çast m’u kujtua vetëm mami im. Fillova të merrja mamin tim në telefon, atë e tremba, fillova të qaja e të bëja. Ajo më tha “mos u shqetëso sepse do të të vijë kujtesa”. Sot nuk jemi asgjë në këtë botë prandaj unë të them jemi sot, s’jemi nesër. Unë dua që ti këto vitet që kanë ngelur, nuk e di, mund të vdes edhe nesër, mund të vdes edhe 100 vjeçe, dua që ti të më premtosh të mos më lësh më vetëm, të jesh gjithmonë me mua. Edhe mua nuk më pëlqen të rri në Itali, por ne do të rrimë se unë jam e sëmurë, kam vizitat, kemi familjen, kemi djalin kështu që ne duhet të rrimë. Unë për këtë të kam sjellë këtu që ti të më japësh fjalën që nuk do të më lësh më vetëm se më ndodhi njëherë, mund të më ndodhë herë të tjera.

/tvklan.al