Një qytetare e diagnostikuar në Turqi me kancer mitre apo ovarian të avancuar thotë se ka nisur trajtimin me medikamentin Lynparza. Kur është kthyer në Shqipëri, është drejtuar në shërbimin e onkologjisë ku i kanë thënë se nuk e disponojnë këtë medikament. Sot ajo detyrohet të shkojë jashtë dhe ta blejë, pasi nuk mund të ndryshojë protokollin.
Emisioni “Stop” në Tv Klan iu drejtua shërbimit onkologjik në QSUT ku u informua se nuk e kanë fare të regjistruar ilaçin në fjalë.
Qytetari: Si kalove? Kam një njeriun tim, që është duke u kuruar në Turqi, është me kancer në vezore edhe i kanë dhënë një ilaç ata. Dua të di domethënë, në qoftë se ne i hapim kartelë, e merr dot këtë ilaçin se vetëm këtë kishte problem.
Doktoresha: Olaparibi nuk është në Shqipëri.
Qytetari: Po ka ndonjë të ngjashëm?
Doktoresha: Si ky, jo.
Qytetari: Se ka akoma ca, e kupton, po doja…
Doktoresha: Shyqyr që ka, po nuk është në Shqipëri.
Qytetari: I morëm në Turqi këto.
Doktoresha: Nuk është në Shqipëri. Hë, është i regjistruar në Shqipëri Olaparibi?
Doktoresha 1: S’e di.
Doktoresha: Dhe as nuk e di në qoftë se është i rimbursuar, i regjistruar se ne në spital nuk kemi pasur.
Por nga ana tjetër, në farmaci private shpjegojnë se mund ta gjejnë këtë medikament që sipas farmacistit është tepër i kushtueshëm.
Qytetari: Lynparza është një ilaç i tillë.
Farmacia: Ça do? Lynparza?
Qytetari: Po!
Farmacia: Është me rimbursim.
Qytetari: Është me rimbursim kjo?
Farmacia: Po! Ajo kushton një djall e gjysmë. Ajo është 40 mijë lekë kokrra. Ne ta gjejmë nuk është problem po. 56 tableta, që ka kutia të vete 3 milionë lekë, vëlla.
“Stop” shkon edhe në farmacinë e spitalit ku mëson se medikamenti nuk është në gjendje.
Qytetari: Interesohem për këtë ilaçin.
Farmacia: S’e njof, nuk ka. Këtu tek ne, jo.
Qytetari: Po më thanë merret me rimbursim, prandaj, se dua të hap kartelë.
Farmacia: Këtu jo! Mos është në farmacinë e lagjes me rimbursim, se kemi dhe ne me rimbursim ka dhe lagja. Këtu tek ne jo, tek kjo farmaci, jo.
Qytetari: Vajta te farmacia, që të blija një tabletë, më thanë që është me rimbursim në spital.
Farmacia: Këtu tek ne, jo. Ky është rimbursimi spitalor, që kemi ne./tvklan.al