Partia Demokratike akuzon kryeministrin se ka vendosur një taksë për plehrat nëpërmjet vënies në punë të tre inceneratorëve në Tiranë, Fier e Elbasan. Duke ju referuar një vendimi të datës 23 nëntor të vitit të kaluar të Komisionit të Ndihmës Shtetërore, kreu i departamentit të mjedisit, Jamarbër Malltezi tha se pas kësaj skeme qëndrojnë kryeministri Rama dhe ministri i Finacave Ahmetaj.
“Jo vetëm që Rama dhe Ahmetaj po marrin 178 milionë euro nga taksat tona për 3 inceneratorët që do të djegin plehra dhe do të lëshojnë helme në ajër, por ata kanë vendosur “taksën e plehrave,” që të shesin energjinë e prodhuar nga inceneratorët dhe të vazhdojnë të pasurohen për vete! Nuk ka ndihmë shtetërore as për të përmbyturit, as për naftëtarët, as për të përndjekurit politikë, as për ish-pronarët, as për të papunët, as për kryefamiljarët që nuk ushqejnë dot fëmijët, as për të rinjtë që braktisin vendin. Ndihmë ka vetëm për inceneratorët e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt.”
Për demokratët taksa e re ka vetëm një qëllim.
“Kjo do të thotë se skema financohet me taksën që detyron OSHEE-në të blejë energjinë e prodhuar nga inceneratorët e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt me çmimin që do të përcaktojë po Edi Rama dhe Arben Ahmetaj në Entin Rregullator të Energjisë.”
Ngritja e tre inceneratorëve për opozitën është afera më korruptive e qeverisë Rama.
Tv Klan