Prej 5 vjetësh, Ana gjendet në një karrige me rrota. Historia e saj e vështirë që e rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” ka kaluar midis problemeve të forta shëndetësore dhe tragjedisë së vrasjes së të birit kur ishte vetëm 17 vjeç.

Ajo tregoi se si pas lindjes së djalit rreth 7 vite nga martesa e dytë, iu desh të hiqte mitrën. Më pas vendosi protezë në pjesën e legenit, hoqi tëmthin e më tej iu desh edhe një operacion plastik. Ndër të gjitha këto, më e rënda ndodhi kur humbi këmbët, një episod që e ndan me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Ana: Kur jam operuar në Greqi që jam me karrocë sot, nga proteza e parë që kisha vënë, ajo duhej ndërruar se unë jam rrëzuar kushedi se sa herë dhe ajo duket u dëmtua, kisha dhimbje të papara dhe më thanë doktorët që duhet ndërruar proteza dhe shkuam në Greqi për më mirë. Pasi më vunë protezën, erdhi doktori që më ngriti pas dy ditëve që si do reagoja, si do ecja. Këmba ime nuk funksiononte fare, kishte vdekur nervi, kishin prerë nervin dhe aty kam ulëritur, kam qarë, kam ngritur gjithë spitalin e Greqisë dhe thashë ngela në karrocë, “jo” më tha mua ai, por unë e pashë këmbën që kishte dalë jashtë funksionit. Më tha mua ”do bëjmë një operacion të vogël sepse unë të kam shtypur nervin dhe do ta lirojmë një çikë videon dhe do bëjmë një lidhje nervi pastaj”. Thashë unë mirë. Operacioni tjetër jo që nuk më bënë lidhje nervi mua ata, por më dëmtuan edhe muskujt që kemi 4 muskuj këtu ne, unë s’kam muskuj fare, këmba m’u bë më keq dhe që atëherë unë ngela në karrocë. Më thotë im shoq “mua më vjen keq që do vuash për vete, por unë nuk të lë, do të të nxjerr më shumë se sa të kam nxjerrë kur ke qenë me këmbë të sakta”.

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin bashkëshorti?

Ana: Mehmet. Që atë ditë që unë jam në karrocë, ai edhe më përpara më ka shërbyer, e deri më sot, ai njeri nuk e di… Ai lan enët, ai lan çimenton, ai shton tavolinën, ai ngre tavolinën dhe më thotë “mos u mërzit, mua më vjen keq për ty se do vuash ti, por unë edhe me një këmbë të jem unë ty nuk do të të lë që ti të vuash”./tvklan.al