Njerëzit më të pasur në botë kanë filluar të kenë humbje në pasurinë e tyre. Në listën e humbjeve më të mëdha kryeson krijuesi dhe CEO i Amazone, Jeff Bezos, me një shifër prej 9 miliardë dollarë humbje në javë, i ndjekur nga Elon Musk me një humbje prej 8,5 miliardë dollarë.
Në një pozicion më të mirë duket se është krijuesi dhe CEO i Facebook, Mark Zuckerberg me 4,2 miliardë humbje, i ndjekur nga Bill Gates, me një rënie prej 2,9 miliardë dollarësh.
Sipas agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Bloomberg, me rënien e aksioneve të gjigandit Amazone, ka përjetuar humbje të mëdha edhe ish-bashkëshortja e Jeff Bezos, MacKenzie Scott, me një rënie prej 3.2 miliardë dollarësh në një ditë të vetme. Humbje që erdhi pikërisht një ditë pasi kishte marrë titullin gruaja më e pasur në botë.
Nga ana tjetër, edhe krijuesi i Alibaba në Kinë, Jack Ma, ka humbur rreth 1,6 miliardë dollarë nga pasuria e tij private.
Megjithatë, këto rënie dhe këto shifra të mëdha që po shohim nuk kanë ndikuar në renditjen e tyre te lista e njerëzve më të pasur në botë.
Jeff Bezos vazhdon të kryesojë me një pasuri prej 197,9 miliardë dollarë, i ndjekur nga Bill Gates me 124 miliardë dollarë, Mark Zuckerberg me 110 miliardë dhe Elon Musk me 96,2 miliardë dollarë./tvklan.al