Korporata e Energjetikës e Kosovës, KEK konfirmon ndihmën e dhënë KESH-it nëpërmjet depozitimit të energjisë gjatë javëve të fundit. Drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj gjatë një takimi në Tiranë me homologun e KESH-it Muharrem Stojku, i ka cilësuar si të pavërteta lajmet mbi shitjen e energjisë elektrike në Shqipëri gjatë muajit dhjetor.

Arben Gjukaj: “Mua më vjen keq për disa prononcime apo keq informime të opinionit, ku të gjitha bilancet e deritashme janë në favor të KESH-it. Dmth të gjitha shkëmbimet janë në favor të KESH-it. Korporata e Energjetikës e Kosovës që nga viti ‘99 është korporatë e cila importon energji elektrike dhe nuk ka mundësi të eksportit, anadaj ato prononcimet që janë bërë apo shtrembërime të lajmit na kanë prekur shumë dhe unë shpreh keqardhjen për këtë”.

KESH ka depozituar në Kosovë gjatë kësaj periudhe mesatarisht 6 milion kilovat/orë në ditë.

Muharrem Stojku: “Në muajin nëntor ne kemi eksportuar në KEK 15 milion kilovat/orë. Nga eksporti total që kemi pasur 95 milion e 500 mijë kilovat/orë, kurse në muajin dhjetor kemi eksportuar gjithsej 71.4 milion kilovat orë, nga të cilat 15.730 milion janë eksport në KEK”.

Punonjësit e KEK-ut në formën e solidaritetit kanë dhënë rreth 34 mijë euro nga pagat e tyre, si ndihmë për banorët e përmbytur në veriperëndim të vendit./tvklan.al