Një person mbeti i vrarë mbrëmjen e kësaj të enjteje në Tiranë, në një atentat të ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes.

Viktima është Hekuran Billa. 40-vjeçari po lëvizte me makinë, një BMW të bardhë, kur u qëllua për vdekje në rrethana ende të paqarta. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth 22:00, pranë një qendre tregtare në zonën e Komunës së Parisit.

Ndërkohë, një automjet u gjet i djegur në Pezë të Vogël. Makina dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes. Tvklan.al, nga vendngjarja mëson se makina e djegur është një Benz me portobagazh me targa, të cilat i përkasin një automjeti, tjetër tip Renault. Brenda makinës autoritetet gjetën një armë zjarri të djegur, që dyshohet të jetë tip MP5 me silenciator.

“Rreth orës 22:00, tek Komuna e Parisit në rrethana ende të paqarta është vrarë më armë zjarri shtetasi H.B., 40 vjeç, i cili po qarkullonte me mjetin e tij. Menjëherë forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën ku vijon krehjen e zonës për kapjen e autorit. Menjëherë është ngritur Grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe sekuestrimin e çdo prove të vlefshme që do çojë në identifikimin e autorit”, tha policia e Tiranës në një njoftim për mediat.

Motivet e ngjarjes së rëndë momentalisht nuk dihen ende. Megjithatë, dyshohet se Billa në vitin 2008 kishte vrarë një person me iniciale P.M.

Ky është momenti kur zjarrfikësja është nisur drejt fshatit Pezë e Vogël, në vendin ku u gjet makina e djegur e autorëve të dyshuar të ngjarjes. /tvklan.al