Mungesa të rëndësishme te Elbasani për ndeshjen e radhës në Superligën Shqiptare. Skuadra e teknikut Roberto Bordin do të masë forcat me Bylisin, takim ku do të hasë jo pak vështirësi për të ndërtuar formacionin titullar.
Kjo pasi të paktën 4 futbollistë rrezikojnë të mos jenë në fushë për arsye dëmtimi. Lojtari më efikas deri më tani, Ze Gomes është në fazë rikuperimi dhe mbetet ende në dyshim për të qenë në fushë në takimin e së dielës në “Adush Muça”. Portugezi ka shënuar dy gola deri më tani me elbasanasit, për të qenë edhe goleadori i ekipit.
Në fazë rikuperimi gjenden edhe futbollistë si Bedri Greca, Arsen Kasa dhe Edon Hasani. Stafi mjekësor po punon individualisht me këta futbollistë për t’i vendosur në dispozicion të grupit për një ndeshje tepër të rëndësishme si ajo kundër ballshiotëve.
Elbasani ka bërë mirë në këtë pjesë të parë të sezonit, duke grumbulluar gjysmën e pikëve në dispozicion, konkretisht 9 nga 18. Ecuri që e ka ndihmuar ekipin elbasanas për t’u renditur në vendin e tretë të Superligës, pozicion që në fund të sezonit të garanton biletën për në fazën final-four të titullit kampion.
Klan News