Prej vitit 2021, banesa e Kristaq Qiqit të cilën e ka blerë në pallatin e ndërtuar nga shoqëria Alba flor është e bllokuar. Kjo është arsyeja pse ai i është drejtuar “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan me shpresën për t’u përballur me palët që kanë shkaktuar këtë konflikt.
Administratori i shoqërisë nuk ka pranuar dhe seanca po zhvillohet në ambientet e zyrës së Eni Çobanit. Kristaqi e ka blerë banesën në vitin 2012, por rezulton se shoqëria ndërtimore ka nisur një gjyq me pronarin e një trualli pranë vite më parë se të ndodhte kjo.
Pronari i truallit ku ndodhet një vilë trekatëshe, Pasmaçiu pretendon 450 metra katrorë nga pallati dhe ndër to, përmbaruesi ka bllokuar edhe banesën e Kristaqit. Eni Çobani zbulon edhe të tjera shkelje në këtë proces.
Eni Çobani: Nuk ka gjyq vetëm Pasmaçiu me Alba florin. Ti nuk di tjetrën, Pasmaçiu është në gjyq me Lundrën sepse zotërinjtë e kanë blerë nga vetëm një pjesëtar i familjes Lundra këtë vilën dhe janë ngritur bashkëpronarët e tjerë me të drejtë duke thënë prit ore se këtë vilën e kemi të tërë ne dhe janë në gjyq. atëherë këtu përveç zotit Pasmaçiu, zotëri në këtë vilën nuk ka jetuar vetëm Pasmaçiu, e ka pasur Lefter Maliqi, i nderuari dhe Xhevrie Allajbej. Pra nuk e di ç’është bërë me Lefter Maliqin dhe Xhevrien, por familja Lundra që rezulton ish-pronare e vjetër e kësaj prone ka hedhur në gjyq Pasmaçiun dhe tani, sot që ti nuk e di fare dhe këtë gjë nuk ma ka thënë Gëzim Ceka.
Çobani shpjegon se më 11 janar 2023, 3 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë kanë kanë vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga pala e paditur Bashkim Pasmaçiu kundër vendimit të gjykatës së apelit, revokimin e vendimit të pezullimit. Ndërmjetësja vijon t’i drejtohet në fjalën e saj administratorit të shoqërisë Alba flor, Gëzim Cekës.
Eni Çobani: Familja Lundra është bërë pronare e kësaj prone me vendimin e Gjykatës së Lartë. Pra Bashkim Pasmaçiu ka humbur përfundimisht pronën. Mirë këtë, por në gjyqin që ju keni kryer gjë të cilën unë nuk e di, a i keni vënë në dijeni të nderuarit e Gjykatës së Apelit në vitin 2019 që familja Pasmaçiu ka një gjyq pranë Gjykatës së Lartë dhe pa mbaruar gjyqi i Gjykatës së Lartë, Gjykata e Apelit nuk mund të jepte vendim?
Kristaq: Hajde dallavere që kanë bërë!
Eni Çobani: E kanë bërë apo s’e kanë bërë nuk e di se nuk kam qenë palë, por logjika më shkon që Gjykata e Apelit Tiranë nuk do të jepte vendim pa përfunduar Gjykata e Lartë dhe në momentin që Gjykata e Lartë do jepte këtë vendim, jam plotësisht e bindur që Gjykata e Apelit do të pushonte çështjen se nuk ka çështje më sepse Pasmaçiu nuk është më pronar.
Mirë kjo, kalojmë tani te Urbanistika e bashkisë Tiranë. Vila e Pasmaçiut të nderuar është e paprishur ndërkohë që lejen e ndërtimit ia keni dhënë edhe për familjen Pasmaçiu, pra ky ka bërë pallatin dhe nuk e ka përfshirë sipërfaqen e Pasmaçiut dhe Pasmaçiu vazhdon gjyqet, do të marrë pjesën e Kristaqit në pallat! Ore zotëri, vila e Pasmaçiut nuk është prishur!
Çobani evidenton sërish shkeljet e procesit në një rend kronologjik.
Eni Çobani: Kemi ish-pronarë familjen Lundra që ka filluar gjyqet me Pasmaçinjtë shumë vite përpara se të fillonin Pasmaçinjtë me shoqërinë Alba flor. Gjyqi ka përfunduar në 2023-shin me Lundrën dhe në 2023-shin jo vetëm është mbaruar ndërtimi dhe janë shitur apartamentet, por po bëhen edhe ca gjyqe të tjera me Alba florin dhe me Pasmaçinjtë. Pra shikoni se çfarë zvarritjeje kemi në kohë që nuk përkojnë gjyqet me njëri-tjetrin dhe që tani ne kemi një situatë komplet ndryshe. Shtëpia është ndërtuar, sipërfaqja e Lundrës është përfshirë apo jo kjo duhet patjetër, matur, por të paktën vila e Pasmaçiut që pretendohet që është e Lundrës është e paprishur. Si është e mundur që vjen familja Pasmaçiu kërkon sipërfaqe? Dhe mbi këto sipërfaqe merr banesën e Kristaq Qiqit?/tvklan.al