Enkelejd Alibeaj: “Do t’i kërkohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë masa ekstreme e shkarkimit nga detyra”.
Skandal në paraburgimin e Shkodrës. Një shtetas i arrestuar është mbajtur në qelitë e paraburgimit për më shumë se dy muaj pa një vendim gjykate.
Skandali i radhës në procedurat e mbajtjes nën arrest është verifikuar nga inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët kanë hapur një dosje me shkelje të rëndë ndaj prokurorëve të dy shkallëve të gjyqësorit në Shkodër.
Rrëmbim të një shtetasi e ka emëruar këtë skandal kreu i Ministrisë së Drejtësisë.
Enkelejd Alibeaj: “Është rrëmbyer në terma ligjorë penal dhe prokuroria nuk ka vepruar”.
Si për të vijuar me skandalet në sistemin e drejtësisë shqiptare, Alibeaj ka deklaruar publikisht se i ka kërkuar zyrtarisht presidentit Bamir Topi dhe kryeprokurores Ina Rama shkarkimin e treshes gjyqësore në Elbasan.
Ndaj tyre ka prova se fundjavën e shkuar kanë lënë të lirë autorin e një vrasëseje dhe pse ndaj tij ishte kërkuar dënimi me 25 vjet burg.
Enkelejd Alibeaj: “Një treshe gjyqtarësh në këtë gjykatë e kryesuar nga ish-kryetari i gjykatës, gjyqtari Bujar Musta, kanë dhënë një vendim gjyqësor duke shpallur të pafajshëm autorin e një vepre penale të një vrasje me paramendim të ndodhur në këtë qytet. Gjykata në shkelje të plotë të urdhërimeve procedurale ka anashkaluar të gjithë provat, të cilat i ngarkonim me përgjegjësi penale autorët e kësaj vepre penale”.
Vetëm pak ditë më parë ministri Alibeaj kërkoi t’i bëhej prezent Këshillit të Lartë të Drejtësisë një relacion me shkelje të konstatuara në disa gjykata, ku sipas tij mbi 20 gjykatës duhet të shkarkohen për shpërdorim detyre./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani