Në rubrikën e shqiptarëve nëpër botë, Erinda Shah nga Chennai në Indi ka treguar për emisionin Opinion në Tv Klan eksperiencën e saj të emigrimit në një vend të largët siç është India.

“Kam lindur në Lushnje por kam jetuar dhe në Kuçovë, studimet në Tiranë. Bashkëshorti im është indian, kemi qëndruar në Shqipëri për pak vite. U njohëm kur punoja me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, isha në Spanjë për disa programe, atje jemi takuar shumë pak. Por mbajtëm marrëdhënie dhe ka qenë online, në 2005 kemi bërë martesën, jetuam në Tiranë, ka pasur dhe restorantin e parë indian. Kishim goxha klientelë, kryesisht të huaj, ambasadat. Martesa ndërmjet kulturave të ndryshme bën një çudi të madhe, patjetër që India është shumë larg, jo vetëm gjeografikisht por edhe psikologjikisht. Bashkëshorti mësoi dhe shqip, flet shqip”.

Pas Tiranës, ata vendosën që të largoheshin drejt Indisë ku jetojnë ende prej 17 vitesh.

“Ishte një dëshirë e tij që të shkojmë në Indi, është vend më i madh, ka më shumë mundësira. U nisëm si për pushime dhe kemi 17 vjet për “pushime”. Unë kam studiuar për punë sociale, vazhdoj profesionin tim, por jo me organizata ndërkombëtare, kam ndërtuar një biznes timin të vogël dhe merrem në fushën e shëndetit mendor, ku edukojmë dhe informojmë publikun se si të njohë problemet e shëndetit mendor dhe si të ulim keqkuptimet në lidhje me shëndetin mendor. Chennai ka 6-7 milionë banorë. Vijmë në Shqipëri, jo shumë shpesh. Vajzat janë në shkollë. Vijmë një herë në vit ose 2 vjet. Teknologjia mundëson të flasim me familjen shumë shpesh. Nga Shqipëria më mungojnë njerëzit. Ne jemi një popull shumë punëdashës, me shumë vlera. Ajo çfarë do doja është tranzicioni që po kalon, vlerat janë shumë të rëndësishme që të mbahen, thjeshtësia është më e rëndësishme, të kemi më shumë respekt ndaj vetes se si prezantohemi”, u shpreh Erinda.

/tvklan.al