Lamine Yamal, është padyshim një nga lojtarët më të spikatur në Europian dhe jo vetëm. Paraqitjet e shkëlqyera të 16-vjeçarit, kanë bërë që e gjithë bota e futbollit të kthejë sytë nga ai.

Sulmuesi i Barcelonës, luajti me Spanjën në ndeshjen e 1/8-ve ndaj Gjeorgjisë, ku pavarësisht se nuk shënoi dot, arriti të vendosë një rekord.

Yamal, u bë lojtari më i ri që ka luajtur ndonjëherë në një ndeshje me eliminim direkt në fazën finale të Europianit.

Vetëm 16 vjeç e 353 ditë, anësori i djathtë, vendosi rekordin, duke thyer atë të mëparshmin, që mbahej nga Jude Bellingham. Mesfushori anglez, në Euro 2020, zbriti në fushë në moshën 18 vjeç e 4 ditë.

Yamal tashmë është në kërkim të një tjetër rekordi, atë të lojtarit më të ri që shënon në Europian. Në rast se sulmuesi gjen rrugën e rrjetës, në sfidën e radhës ndaj Gjermanisë, do të shkruante emrin e tij në historinë e Europianit, si lojtari më i ri që shënon në këtë kompeticion.

Në fakt sulmuesi i është afruar disa herë golit, por nuk e ka dërguar dot topin në rrjetë, në mundësitë që i janë dhënë. /tvklan.al