Ish-ministri i Mbrojtjes zoti Fatmir Mediu, ka vërtetuar me fakte dhe dokumente të tjera shtesë, se ai nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për ngjarjen e Gërdecit pasi ka zbatuar vetëm ligjin. Gjatë një komunikimi me mediat ku ka bërë një prezantim të detajuar të gjithë ecurisë së shqyrtimeve të kërkesës për demontim municioni nga kompania SAC, Mediu deklaroi se ai kishte marrë përgjegjësinë morale menjëherë pas ngjarjes së 15 marsit.

Fatmir Mediu: “Nuk përjashtoj veten nga përgjegjësia dhe më duket përgjegjësi kam marrë që ditën e tretë, kam dalë dhe kam dhënë dorëheqjen, por e theksoj se nuk kam asnjë përgjegjësi ligjore për këtë çështje. Nuk kam vendosur dhe nuk vendos gishtin mbi kërkënd, autoritet ushtarak apo civil, por i kam kthyer përgjigje me këtë që prezantova prokurorisë së përgjithshme, e cila thotë janë anashkaluar forcat e armatosura. Në mënyrë absolute unë jam  i hapur për vlerësimin dhe zbardhjen e ngjarjes, ashtu siç është në nderin e Kuvendit të Shqipërisë që të vlerësoj në të gjithë elementët e vet kërkesën e akuzës dhe gjykimin tim për këtë çështje.”

Mediu ka paraqitur në mënyrë kronologjike procedurën e ndjekur deri në nënshkrimin e kontratës me kompaninë amerikane SAC, ku për çdo hap të hedhur shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe kreu i tij kanë qenë në dijeni dhe kanë marrë vendimet përkatëse.

Fatmir Mediu: “3 palë kanë qenë në proces, Shtabi, Mejko dhe SAC, duke eliminuar Bërzhitën, e cila pse është vizituar nga shtabi i përgjithshëm për të parë plotësonte, ose nuk plotësonte kushtet ose në qoftë se e dinë Permemoria, Permemoria duhet të dinë edhe Gërdecin, sepse janë autoritete që duhet të kenë kontroll nga ato që janë njësi ushtarake. Shefi i shtabit të përgjithshëm ka lëshuar një urdhër, pa kërkesë të ministrit të mbrojtjes për të ndërtuar 4 grupe pune, të cilët do të bënin evidentimin e këtij lloj municioni. Por në datën 07.06.2007, Mejko i dërgon një kërkesë shefit të Shtabit të përgjithshëm për të vënë në dispozicion menjëherë 2 kamion me municione për nevoja teknologjike të kompanisë SAC.”

Më tej ish ministri Mediu u ndal edhe tek çështja e tregtisë së armëve me Afganistanin.

Fatmir Mediu: “Kompania nuk ka mundur të furnizojë me sasinë e nevojshme të fishekëve, pra do të thotë që nuk ka pasur mjaftueshmëri fishekësh për të bërë dhe demontim edhe shitje. Kontrata me komapninë AEY, ka qenë një kontratë e cila është bazuar në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me letrat që ka Pentagoni, kemi deklaruar që është fishek kinez, kemi deklaruar moshën e fishekëve, kemi deklaruar gjithçka që kishte të bënte me këtë proces.”

Kreu republikan i bëri këto sqarime pak ditë pasi kryeprokurorja Ina Rama, kërkoi heqje të imunitetit parlamentar të ish-ministrit Mediu./tvklan.al

Gazetar: Drini Zeqo