Në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan mjeku logoped Erges Eskiu duke folur për rreziqet ndaj fëmijëve dhe kujdesin që duhet treguar ndaj tyre, ngriti alarmin për problemin që haset në të folur.
Duke iu referuar një sërë shkaktarëve përfshirë këtu dhe teknologjinë mjeku u shpreh se numri i fëmijëve që kanë probleme apo vonesa në të folur është në rritje.
Ai tha se mosha normale kur një fëmijë duhet të nisë të flasë është 1 vjeç. Më tej Eskiu këshilloi prindërit që të mos i neglizhojnë këto probleme, por të bëjnë një vizitë tek mjeku.
Blendi Fevziu: Puna e të folurit të fëmijëve, po shtyhet në kohë apo po flasin më shpejt si pasojë e teknologjisë?
Erges Eskiu: Sot ka një rritje sepse kemi një kulturë më të madhe shëndetësore, prindërit gjithmonë e më tepër shqetësohen apo kërkojnë ecuri më të mirë të fëmijës së tyre dhe pyesin. Dhe autizmi është sëmundje e viteve të fundit, pra nëse nuk është parë trendi më parë për autizmin është sepse nuk është diagnostikuar. Prindërit duhet të kenë parasysh që fëmija fjalët e para i ka në moshën 1-vjeçare. Por, e para është kontakti me sy, pra kur nëna e ka fëmijën në gji ose babai e merr përpara dhe shikon kontaktin me sy të fëmijës.
Blendi Fevziu: Pra komunikimi i parë është ai me sy apo jo?
Erges Eskiu: Komunikimi me sy është i pari. Pra a e shmang shikimin apo të shikon drejt e në sy dhe është i kthjellët.
Blendi Fevziu: Pra kur të shikon drejt e në sy jemi “ok”.
Erges Eskiu: Nëse i shmanget shikimit, nëse e ke përballë, është një merak që duhet të konsultohet patjetër me një neuropediatër ose neuropsikiatër infantil. Pastaj duhet pritur për fjalën e parë deri në 18 muajsh. Ka një tolerancë deri në 18 muajsh për fjalën e parë. Gjithsesi kontakti me neuropediatrin duhet padiskutim. Duhet të dimë që në moshën 2 vjeçe fëmija duhet të flasë, 30 muajsh duhet të ketë 50 fjalë, nëse nuk i ka është një problem./tvklan.al