Partia Socialiste kremton sot 33-vjetorin e themelimit. Për të festuar këtë datë të rëndësishme për socialistët, anëtarë dhe drejtues të saj janë mbledhur në një ceremoni në selinë rozë.

Në një prononcim për Klan News, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, është shprehur se sfida e radhës e Partisë Socialiste është fitorja e mandatit të katërt qeverisës si dhe hapja e partisë.

Gjatë fjalës së tij, Klosi është shprehur se PS ka pasur një rezultat spektakolar në garat elektorale teksa ka shtuar se Partia Socialiste ka qenë një shkollë për të gjithë politikën shqiptare.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi: 33 vite të kësaj partie kanë shërbyer që sot PS të vijë në këtë festë e bashkuar dhe e fortë, e përgatitur për garat e ardhshme elektorale, një parti që ka shtuar në maksimum numrin e anëtarëve të saj, kemi kaluar në 100 mijë anëtarë partie. Kemi një rezultat spektakolar në 10 garat e fundit elektorale, për një parti që ka dëshmuar të jetë e hapur dhe të jetë e gatshme për çdo betejë elektorale. PS ka qenë një shkollë jo vetëm për ne që kemi aderuar në të, por për të gjithë politikën shqiptare.

Pyetje: Sfida më e madhe elektorale që PS po përballet momentalisht?

Blendi Klosi: Nga pikëpamja elektorale, fitorja e mandatit të katërt, nga pikëpamja organizative, hapja e partisë, mosngelia në status quo, të mos kënaqemi nga rezultatet fituese dhe të kuptojmë se çfarë nuk shkoi mirë për ta bërë më mirë në garën tjetër. Festat janë të mirëpritur kushdo që ka diçka për të uruar dhe për ta ndarë me PS-në. Kush e ka ndjerë veten se kishte diçka për të uruar sot në këtë parti, është sot me ne.

Teksa socialistët kanë qenë duke festuar, gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri i ka marrë një prononcim Gramoz Ruçit. Gjatë fjalës së tij, socialisti Ruçi është shprehur se PS ka ditur që të rritet dhe të bëhet më e re duke përfshirë elementin e ri. Më tej, Ruçi vlerësoi lidershipin e Partisë Socialiste për të cilën tha se ka merita të veçanta për vizionin dhe energjinë që ka.

Pyetje: Cila është sfida kryesore me të cilën po përballet kjo parti në ditët e sotme?

Gramoz Ruçi: Kjo parti bën përjashtim nga të gjitha partitë simotra të vendeve të lindjes, të cilat, një pjesë e tyre janë inekzistente, kurse ajo është 18 vjet në pushtet dhe është një rezultat shumë pozitiv, ashtu sikundër krahasur me motrat simotra të Perëndimit, përjashto 2-3 vende, janë në opozitë. Partia Socialiste ka ditur që në këto 33 vjet të rritet, të bëhet më e re, të përfshijë në gjirin e saj elementin e ri dhe veçanërisht zonjat. Sot 50% e strukturave drejtuese janë shoqet. Lidershipi i PS-së ka merita të veçanta për vizionin që ka, ka merita të veçanta për ambicien që ka për të bërë dhe për të lënë gjëra dhe është për ta vlerësuar për energjitë që ka për të qenë i pari që ngrihet dhe i fundit që lë zyrën për të pushuar.

Më herët, kryesocialisti Rama uroi me një mesazh online anëtarët e partisë që ai drejton, por edhe mbështetësit e kësaj force që sipas tij e kanë bërë këtë parti mishërim të Shqipërisë Europiane dhe sinonim të fjalës “fitore”. Socialistët janë në pushtet prej 2013-ës./tvklan.al