Edhe pse numri i grave në biznes ka ardhur në rritje në Shqipëri, sërish ato përballen me shumë sfida. E ftuar në studion e “Pro Business” në Tv Klan, Albana Vrioni themeluese e “Women On Boards Albania”, ndalet tek aktivitetet ku gratë janë më të përfshira dhe tek problemet e sfidat.
“Përfshirja e grave. Aktivitete që janë më shumë të lidhura me aktivitete administrative, psh. mësimdhënia, trajnimet, janë më të populluara me gratë. Gjithashtu edhe industri si puna e banking është gjithnjë e më tepër atraktive për gruan. Shikojmë që gjithashtu se telekomunikacioni po bëhet më tërheqës për gruan. Ka nisma për të përfshirë gruan në nivelin e teknologjisë, domethënë në aktivitetet teknologjike, të cilat janë të mrekullueshme, unë punoj ndonjëherë edhe direkt me to, por janë akoma shembuj individualë.”
Një problem për gratë në biznes është edhe mungesa e aksesit në financë dhe burokracitë.
“Në traditën tonë ai që ka firmën dhe të drejtën e pronës është mashkulli dhe kjo është trashëguar në ligjet tona, është trashëguar në sistemet financiare. E si rrjedhim gruaja, ka zhvilluar brez pas brezi mungesën e konfidencës, tek vetja e vet por edhe tek të tjerët, për të menaxhuar elementet financiare. Si rrjedhim dhe në sistemin financiarë ku ka nevojë që të ketë një lloj sigurie kur jepen kreditë, kjo siguri mungon dhe ajo bëhet një vetëpërforcues si sistem. Gruaja ka vështirësi për të aksesuar mundësi dhe mekanizma financiarë.”
Vrioni ndan edhe gjetje interesante nga anketa e “Women On Boards Albania”.
“Në fund të Tetorit të vitit 2024 ne bëmë një anketë të gjerë në Shqipëri, për fillimet e saj ne intervistuam ose ndoqëm të dhënat e 50 kompanive më të mëdha në Shqipëri. Rezultatet e saj janë që kompanitë më të mëdhatë, pra nga pikëpamja e të ardhurave në Shqipëri pjesëmarrja mesatare e gruas në këshillin mbikëqyrës është maksimumi 13%, ndërsa në këshillin drejtues tek 25%. Do të thotë që ka më shumë pjesëmarrje të gruas në drejtimin operacional, se sa ka pjesëmarrje të gruas në drejtimin strategjik”.
Albana Vrioni sjell një krahasim dhe me vendet e rajonit.
“Krahasimet me rajonin. Ne jemi ende mjaft dobët. Ne kemi bërë shumë mirë në fushën e politikës, kemi një pjesëmarrje ekzemplare të gruas në vendimmarrjen politike edhe pse kjo nevojë të jetë pak më e zgjeruar nga ana e organeve të vendimmarrjes, jo vetëm ato prezantuese. Tani kjo eksperiencë ka nevojë që të çohet në fushën e biznesit, dhe të mbështetet me mekanizma që monitorojnë progresin e saj.”/tvklan.al