“Gjelat” arritën të kualifikohen në çerekfinale pasi mposhtën fqinjët e tyre, belgët me një rezultat të ngushtë 1-0. Djemtë e Deschamps u përpoqën gjatë ndaj Blegjikës që të tregonin se pse janë cilësuar si favoritë për të fituar trofeun. Po pavarësisht përpjekjeve Blutë humbën një seri rastesh gjatë ndeshjes, një fenomen që ishte problem më i madh i tyre në tri ndeshjet e fazës së grupeve. Francezët fituan falë një autogoli ndaj Austrisë, barazuan pa gola ndaj Holandës dhe fituan pas ekzekutimit të një penalltie nga Mbappe në ndeshjen ndaj Polonisë.

Gabimet në sulm!

Franca në lojën pa top dukej e kompozuar dhe e tejet e kontrolluar. Me një qasje mjaft agresive dhe kompakte, Blutë ishin në gjendje të mbanin topin mjaft lehtë dhe të parandalonin çdo kërcënim serioz nga Djajtë e Kuq. Megjithatë në fushë gjërat nuk shkonin ashtu siç ata dëshironin.

Me Mbappe të kthyer në pozicionin e tij të njohur në krahun e majtë dhe Thuram duke luajtur në qendër, skuadrës së Deschamps i mungonte mirëkuptimi në përpjekjet e tyre për të mbështetur sulmet. Griezmann bëri më të mirën e tij për t’u përfshirë në krahun e djathtë, por shpesh ndihej i izoluar dhe i paaftë për të ndikuar në lojë.

Shanset ishin përsëri të vështira për t’u realizuar, me vetëm 2 goditje në portë nga 19 përpjekje për fituesit e Kupës së Botës 2018. Franca doli në pjesën e dytë në një mënyrë më të organizuar dhe ishin disi më kërcënues. Por përpjekjet nga distanca dukej se ishin e vetmja mënyrë për të kërcënuar portierin belg Casteels.

Blutë ende nuk kanë shënuar me aksion në këtë turne. Goli i tyre erdhi përmes Jan Vertonghen i cili ktheu në rrjetën e tij goditjen e Kolo Muanit.

Eksperimenti i Griezmann

Në një përpjekje për të përmirësuar aftësinë sulmuese të “Les Bleus”, Deschamps mori vendimin për të luajtur Antoine Griezmann si një sulmues të krahut të djathtë. Kur është në formë lojtari i Atlético Madrid është vendimtar për mënyrën se si Franca luan dhe kjo u shfaq me kalimin e tij në mesfushë gjatë Kupës së Botës 2022.

Megjithatë, deri më tani në këtë turne, ai nuk ka mundur të ketë një efekt të tillë. Trajneri e ka vendosur Griezmann në disa pozicione po ende nuk ka caktuar rolin e tij përfundimtar në fushë.

Kolo-Muani e shpërblen besimin

Didier Deschamps ka mbrojtur vendimin e tij për të grumbulluar në skuadër Randal Kolo-Muani pavarësisht se sulmuesi nuk ka zhvilluar një sezon të mirë me PSG-në. Pasi largoi Thuram, Deschamps hodhi ne fushë Kolo-Muani, i cili dërgoi topin në rrjetë duke kaluar në avantazh francezët. Pavarësisht se u cilësua autogol nga devijimi I Vertonghen, ndikimi i sulmuesit të PSG-së ishte i dukshëm pasi falë edhe lojës së tij transalpinët u kualifikuan në çerekfinale.

/tvklan.al