Pushimet prej kombëtares kanë përfunduar për Superligën shqiptare. Skuadrat e elitës së futbollit tonë do të kthehen këtë fundjavë në aksion për llogarit të javës së 9-të. Takime që ulin edhe siparin e fazës së parë të kampionatit, që deri më tani ka dhuruar emocione të shumta. Pesë sfida që do të luhen të shpërndara në dy ditë.
Të shtunën, do luhen tre përballje, mes të cilave edhe derbi i kryeqytetit, Tirana-Dinamo. Duel që sipas gjasave do zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në orën 17:00. Një 90 minutësh që i gjen dy ekipet në situata të ndryshme. Dinamo nuk humbet prej 6 sfidave, teksa pozicionohet në vendin e katërt. Ndërkaq, bardheblutë vijnë pas humbjes me Teutën.
Durrsakët zbresin në fushë kundër Egnatias. Test aspak i lehtë për bregdetarët ndaj kampionëve në fuqi të vendit ku kërkohet ruajtja e formës në tre ndeshjet e fundit. Teuta ka grumbulluar 7 pikë, për të qënë e qetë larg zonës së ftohtë të renditjes. Ndërkohë rrogozhinasit kanë një pikë më shumë në vendin e tretë. Në të njëjtën orën, 14:00 në Kurbin luhet sfida mes Laçit e Vllaznisë.
Dy skuadra që përfaqësojnë zonën e Veriut të vendit, e ku pritet të ketë mbështetje maksimale në tribuna. Vendasit duan të kalojnë krizën dhe t’i largohet sa më shpejt vendit të fundit. Të dielën luhen sfidat, Bylis-Skënderbeu dhe Elbasani-Partizani. Skuadra që po përjetojnë një formë të ngjashme, ndërsa nuk kanë humbur në 5 ndeshjet e fundit. Të kuqtë kryesojnë edhe renditjen me 15 pikë nga 24 që ishin në dispozicion.
Klan News