Situata e furnizimit me energji në zonën e bregut do të jetë disa herë më e mirë këtë vit. Brenda 10 ditësh OSHEE do të përfundojë ndërtimin e linjës së re 35 kilovolt nga Himara në Dhërmi, një investim që kap vlerën e 250 milionë lekëve të reja.
Po ashtu Operatori i Shpërndarjes do të ristruktutojë edhe fiderin e energjisë nga Jala në Himarë për të garantuar një furnizim më cilësor me energji elektrike. Brenda muajit Maj është parashikuar ngritja e një nënstacioni mobile, që do të përballojë të gjithë fluksin e ngarkesave për sezonin turistik dhe gjatë gjithë periudhës së dimrit.
Sipas drejtuesve të OSHEE-së dhe OST-së problemet me furnizimin e energjisë do të marrin zgjidhje përfundimtare në vitin 2017 me nisjen e një tjetër investimi, që parashikon shtrirjen e rrjetit të shpërndarjes 20 kilovolt për zonën e Himarës, Dhërmiut, Qeparoit dhe Palasës dhe ndërtimin e dy nënstacioneve në Himarë e Orikum.
Drejtori i OSHEE-së u kërkoi bizneseve të zonës që të shlyejnë detyrimet dhe të hyjnë në marrëveshje me operatorin e shpërndarjes për pagesat e prapambetura.
Tv Klan