“U mbars mali polli një mi dhe tani minj, hardhuca e zhapikë kanë kohën e ahengut të fitores në humbje! Është koha e daljes së shpirtit të së keqes që mpaket e çirret, ndërkohë që Shqipërinë as e ndal dot më kush dhe as e nëpërkëmb dot më askush”, ky është postimi më i fundit i kryeministrit Edi Rama në “X”.
U mbars mali polli një mi dhe tani minj, hardhuca e zhapikë kanë kohën e ahengut të fitores në humbje! Është koha e daljes së shpirtit të së keqes që mpaket e çirret, ndërkohë që Shqipërinë as e ndal dot më kush dhe as e nëpërkëmb dot më askush.
— Edi Rama (@ediramaal) June 3, 2024
Edhe pse s’ka përmendur asnjë emër konkret ndër rreshta, duket si një reagim i kreut të qeverisë ndaj gazetarit italian Giorgio Mottola. Ky i fundit ka folur pak minuta më parë për një media shqiptare sa i takon reportazhit të bujshëm të Rai 3, por jo vetëm.
Sipas Mottola, “të vetmit njerëz që ishin të gatshëm dhe kishin shumë dëshirë të flisnin ishin në arratisur jashtë Shqipërisë”. Kjo referuar ish-numrit dy të qeverisë Arben Ahmetajt. “Duke parë peshën e politikës në drejtësinë shqiptarë, ai duhet të qëndronte aty ku është për të mos pasur pasoja për jetën. Edhe në Shqipëri ai ka pasur kërcënime me vdekje për familjen e tij për veten dhe këto janë shkaqet që ai u arratis në Zvicër”, ka thënë gazetari.
Mbrëmjen e së Dielës, Rama u ballafaqua me gazetarin përmes një interviste të zhvilluar në Kryeministri. Mënyrën si Rai 3 e trajtoi marrëveshjen Itali-Shqipëri për emigrantët e cilësoi “të neveritshme”.
“Pyll pa derra nuk ka…”, tha Rama pas pretendimeve të Ahmetajt se në zyrën e kryeministrit janë futur dhe eksponentë kriminalë./tvklan.al