Inaugurohet shtesa e re e konviktit të shkollës së mesme dhe asaj pedagogjike në qytetin e Burrelit.

I pranishëm në ceremoni ishte dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo. Tani ky konvikt ofron kushte të përshtatshme për akomodimin e nxënësve matjanë.

Godina e re është pajisur me sistem ngrohje dhe mobilie të reja. Kapaciteti i tij arrin në 200 nxënës. Vlera e këtij investimi kap shifrën e 380 mijë eurove të akorduara nga buxheti i shtetit.

Genc Pollo: “Është konvikti i parë që përfundon dhe është realizimi i parë i një plani madhor të ministrisë për të ndërtuar konvikte në të gjitha qendrat urbane dhe kjo bëhet me qëllimin e qartë që arsimi i mesëm, i përgjithshëm apo profesional, pra në gjimnaz apo në teknikume, të kryhet në zona urbane. Ne jemi duke rritur thithjen nga arsimi bazë në arsimin e mesëm, por e rëndësishme është që ata që e vazhdojnë, edhe fëmijët e familjeve që banojnë në zona rurale, të kenë një arsim të mesëm cilësor”.

Pritet që deri në fund të vitit 2008 të ndërtohen 11 konvikte. Nga këto shtatë do të ndërtohen krejtësisht të rinj në rrethe si Tropoja, Kruja, Shkodra, Dibra, Kukësi, si dhe disa shtesa konviktesh në Tiranë, Golem dhe Pukë me një vlerë totale prej 4 milion eurosh të lëvruara nga buxheti i shtetit./tvklan.al