Lajme Arkiva 2003

Familja Luca nga Shoshi i Dukagjinit kanë zbritur në një nga zonat periferike të Tiranës jo për një jetë më të mirë, por për ti shpëtuar gjakmarrjes me fisin hasëm. 30 meshkuj të këtij fisi janë arratisur nëpër botë për ti shpëtuar një gjakmarrjeje që nisi me një grindje dhe vrasje në vitin ’97 në një nga lokalet e Shkodrës.

Ai që vrau nga fisi Luca u vra nga familja e viktimës 30 ditë pas ngjarjes, por gjaku nuk mbaroi këtu. Hasmi çon fjalë për tu ngujuar. Prej 6 vitesh Gjergji dhe dy djemtë Pjetri dhe Pëllumbi nuk dalin prej shtëpisë ndërsa gruaja e tij Lula me vajzat Mara, Tonia dhe Liza, jetojnë me brengat që i shkakton frika e vdekjes dhe skamja që shoqëron ngujimin.

Gjergji:  Erdhëm në zonën e Tiranës duke i marrë parasysh se ka më shumë siguri se në asnjë zonë tjetër të Shqipërisë. Edhe nga shteti edhe se do ti largohemi që ti japim respekt hasmit. Jemi vrarë shpirtërisht, për fëmijët për kushtet që më erdhën. Me erdhën kushte shumë të këqija për të rritur fëmijët. Mos e provoftë njeri vuajtjet tona.

Hallet më të rënda i shpreh Lula. Fëmijët i ushqen me ndihmën e të afërmve, i vjen keq për djemtë që rrijë gjithë ditën të mbyllur. Do të donte të kishte të paktën një televizor që ata të shikonin diçka jashtë mureve të ngujimit. Kujton se gjashtë vjet më parë në dukagjin kishte bagëti dhe tokë. Burri punonte dhe ajo kishte mundësi ti ushqente fëmijët më mirë se sot.

Lula: Na kanë ndihmuar njerëzit. Njerëzit e mi më tepër. Motrat kam dy motra këtu që më ndihmojnë, shokë të burrit, dajot e burrit. Por gjithmonë me të dhëna. As për të fjetur nuk fle dot kur je në këto kushte, ke frikë mos vijnë. Qoftë i mallkuar ai që i ka nxjerrë armët në popull. Ata kanë qenë shokë që u vranë mes tyre dhe fëmijët e mi as i kanë njohur as e kanë ditur.

Djemtë dalin vetëm te pragu i derës dhe janë më të heshtur se prindërit.

Gazetarja: Sikur të kishit mundësi të dilnit çfarë do të bënit?

Djali: Do të punoja.

Gazetarja: Po në shkollë ke qenë ndonjëherë.

Djali: Jo s’kam qenë që kur u futëm në gjak. Deri në klasë të 5 e kam lënë.

Liza dhe Tonia kanë njësoj brengë megjithëse janë të lira shpesh përloten në oborrin e shtëpisë se u vjen keq kur ato dalin ndërsa vëllezërit mbeten të mbyllur.

Vajza: Ndonjëherë unë dal, por vëllezërit nuk dalin. Do doja që ata të na linin të lirë se ne nuk i njohim ata që na kanë futur në gjak.

Të gjithë duan të kthehen në Dukagjin për t’u çmallur me fshatin dhe gjyshërit e bllokuar atje, por e vetmja që mund të shkojë në bjeshkë është më e madhja Mara. Me Tiranën 19-vjeçaren e lidh vetëm jeta në gjakmarrje ndërsa në fshat jeton i fejuari i saj Kujtimi.

Gazetarja: Sa vjet ke që je fejuar?

Mara: Dy vite e gjysmë. I fejuari im jeton në Tropojë, por vjen  më takon në Tiranë.

Gazetarja: Po ti shkon në Tiranë të takosh familjen e tij?

Mara: Jo, se nuk ka kush të më çoj.

Gazetarja: Po kur të martohesh? Do vinë në shtëpi do vijnë të të marrin? Si e mendon?

Mara: Sa të jenë këta të mbyllur brenda s’ka kusht të më çoj. Po të jenë të lirë se kam problem.

Gazetarja: Po po të vijnë ata?

Mara: Edhe ata s’kanë mundësi. Duhet të më marri babi për herë të parë, kështu e kemi.

Mara do ta shtyjë edhe një vit fejesën. Ka shpresë se një ditë babai dhe vëllezërit do të jenë të lirë për të dalë dhe matanë pragut të derës dhe për ta përcjellë bijën nuse sipas zakonit.

Mara: Kam qejf që ata të lirohen, nuk dua gjë tjetër./tvklan.al