Rastet e vrasjeve për motivet e gjakmarrjes mbetet në numër të madh dhe për ta ulur këtë të fundit nuk po gjendet ende zgjidhja. Zona e veriut, kryesisht qarku i Shkodrës dhe Lezhës kanë numrin më të madh të vrasjeve.
Ndonëse Kanuni i përjashton nga gjakmarrja femrat dhe fëmijët, rregullat për të vrarë tashmë nuk kanë as Kanun dhe as ligj. Dinamika e ngjarjeve ka pak ndryshime, përveç historisë dhe zanafillës së gjakmarrjes. Ajo që vihet re është që ka një hapje të hartës së të ngujuarve dhe se shifrat nuk janë fiktive.
Së fundmi një rol aktiv në tentativën për uljen e numrit të vrasjeve e ka marrë kisha dhe ipeshkëvit e zonave veriore, duke nënshkruar një dekret për të çkishëruar autorët e vrasjeve dhe mbështetit e tyre.
Por a është i drejtë ky çkishërim dhe si mund të parandalohet fenomeni i gjakmarrjes? Për të diskutuar mbi këtë çështje në emisionin “Opinion” ishin të ftuar famulltari i Shkodrës, Dom Gjovalin Sukaj, politologu Henri Çili, skenaristi Andamion Murataj, sekretari i përgjithshëm i Komisionit për Drejtësi dhe Paqe Luigj Mila, pedagogia Belina Budini, shefi i sektorit për Krimet e Rënda Fredi Agastra, avokatja Erinda Ballanca dhe sociologia Grida Duma./tvklan.al