“Nuk e dija që zarfi kishte para, lokalin në fjalë e kisha në hetim për shpërndarje droge”.
Ky ka qenë pretendimi që ka dhënë para Gjykatës së Posaçme, Gazmir Preçi shefi i trafiqeve në policinë e Durrësit, i cili u la në burg për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv”.
Ai u vu në pranga pasi nëpërmjet presionit për mbylljen e biznesit i ka marrë 10 mijë Euro pronarit të një lokali nate. Para gjykatës, zyrtari i lartë i policisë i mohoi akuzat duke kërkuar një masë më të butë.
“Pronari i lokalit më ka marrë disa herë në telefon dhe më ka kërkuar takim. Fillimisht i kam thënë të më takonte në zyrën time, por ai nuk ka pranuar. Jemi takuar në Tiranë, ku më ka kërkuar të mos e ngacmoja në ambientet e biznesit të tij, por i kam thënë që mos të kryejë aktivitet të paligjshëm për ta lënë rehat. Teksa po dilja, ai më tha kam një zarf dhuratë. Nuk e pranova, por biznesmeni ma ka futur në xhepin e pasmë. Nuk e dija që në të kishte para”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, AMP dhe SPAK që po ndjekin hetimin pretendojnë se e gjithë biseda dhe momenti i dorëzimit të shumës së parave është filmuar dhe regjistruar, çka sipas tyre, provon akuzat e ngritura.
Tv Klan