Raportim Live
20:49, 10 Shkurt 2025

Erion Veliaj reagon pas arrestimit: Nuk do të hesht më!

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë pas caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i Bashkisë Tiranë thotë se nuk e befason “fundi absurd” i kapitullit të gjatë zvarritje që e quan “fyerje të gjallë të inteligjencës njerëzore”. Ai shton se ky është vetëm kapitulli i parë. Lexo më shumë

20:40, 10 Shkurt 2025

Ajola Xoxa kthehet në Shqipëri, shoqërohet nga policia

Pasi GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, bashkëshortja e Erion Veliajt, Ajola Xoxa është kthyer në Shqipëri pasi ndodhej në Itali. Lexo më shumë

16:25, 10 Shkurt 2025

Arrestimi i Veliajt/ Nën hetim nga SPAK edhe deputetja e Kuvendit

Prokuroria e Posaçme ka vendosur nën hetim një deputete të Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me hetimet që po zhvillon ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Në njoftimin zyrtar ku SPAK bën me dije akuzat ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes së tij dhe 6 personave të tjerë, ndër të tjera thuhet se po bëhen hetime paraprake edhe ndaj deputetes K.B., për akuzat e veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Lexo më shumë

16:13, 10 Shkurt 2025

SPAK njoftim zyrtar për arrestimin e Veliajt: Akuzat që rëndojnë ndaj kryebashkiakut të Tiranës

SPAK ka dhënë njoftimin zyrtar në lidhje me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Prokuroria e Posaçme thotë se ka kërkuar caktimin e masës arrest me burg për Veliajn, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë, SPAK ka kërkuar caktimin e masës “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e kreut të Bashkisë Tiranë, Ajola Xoxa. Ajo dyshohet se ka kryer veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”Lexo më shumë

15:40, 10 Shkurt 2025

PD reagon për arrestimin e Veliajt: Me urdhër të Ramës

Partia Demokratike reagoi nëpërmjet drejtuesit politik të Tiranës, Belind Këlliçi, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Këlliçi tha se arrestimi i Veliajt ka ardhur me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Kjo, sipas Këlliçit, për të sfumuar lajmin se “kryearkitekti” i fushatës së Donald Trump në SHBA do të drejtojë edhe fushatën e selisë blu në zgjedhjet e 11 Majit.

Tronditja që shkaktoi ardhja e krahut të djathtë të Presidentit Trump, Chris LaCivita, çoi në urdhrin e menjëhershëm dhe të pashmangshëm të Edi Ramës për arrestimin e Erion Veliajt. Edi Rama zgjodhi të arrestojë Veliajn pikërisht ditën e sotme, vetëm me qëllimin e sfumimit të lajmit të shumëpritur se Partia Demokratike dhe SHBA ecin përkrah njëra tjetrës, më fuqishëm dhe më të sigurta se kurrë”, tha Këlliçi… Lexo më shumë

15:28, 10 Shkurt 2025

Çfarë tha Veliaj 1 muaj më parë?

“Për të gjithë ata qytetarë që duan ta dëgjojnë…Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, që është një personazh që nuk ekziston. Për të na kthyer mallin e letrave anonime! Unë e kuptoj se disa njerëz që nuk na mundin dot në betejë, në zgjedhje janë kthyer në zanatin e letrave anonime. Nesti Angoni nuk ekziston, të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti përfaqëson dhe çfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil. Megjithatë, duke qenë se kryetari i bashkisë ka në zotërim të gjithë regjistrin civil dhe mund të verifikojë qartazi se ishte një kurth i sajuar, kam qenë bashkëpunues.

Do ishte shqetësuese nëse kryetari i bashkisë, edhe për kurthe anonime nuk paraqitet. E di gjithë Tirana ku jetoj unë, ku banoj unë. Ku isha përpara zgjedhjeve, ku vazhdoj pas zgjedhjeve dhe ku do jem deri në fund të kësaj detyre. Kështu që unë hyj te ajo rracë politikanësh që nuk i thotë SPAK-ut skap kur s’i intereson, dhe i thotë SPAK kur i intereson për kundërshtarët e vet. As nuk kam bërë anti-protesta, as letër anonime se vij nga një brez jo i letrave anonime. Këtu do jemi, në Maj do ju mundim! Me gjithë letra anonime e kurthe!”, tha Veliaj më 26 Dhjetor 2024, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Deklaratë kjo pas dëshmisë 5 orë në SPAK.

15:23, 10 Shkurt 2025

Po çfarë ka deklaruar numri një i qeverisë për hetimet ndaj Veliajt?

Kryeministri Edi Rama është pyetur disa herë sa i takon hetimeve ndaj kreut të bashkisë Tiranë Erion Veliaj. Fillimisht theksoi se “fakti që ai është nën hetim, nuk e bën domosdoshmërisht fajtor”, duke shtuar se në çdo rast drejtësia duhet të bëjë detyrën e saj. Lexo më shumë

Edhe gjatë konferencës së fundvitit, ripërsëriti se “nuk komenton vendimmarrjet e institucioneve të drejtësisë”, megjithatë foli për atë që e cilësoi “gjyq publik ndaj Veliajt”.

“Përkohësisht di që Erion Veliajt i cenohet jeta e tij private nga një gjyq publik nga të gjithë ata që janë angazhuar në atë gjyq. I cenohet dinjiteti nga prokurorë gjykate të ulur në klube mediatike apo të fshehur në ekrane të portaleve, të socialeve, këtë e di me siguri. Ndërsa për pjesën tjetër, nuk bën përjashtim askush nga ajo që unë kam thënë që në fillim. Nuk bëj komente për çështje që u takojnë institucioneve të drejtësisë. Nëse ndryshon, do ketë një arsye shumë të fortë. Deri sot ky është qëndrimi im. Linçimi publik i kryetarit të bashkisë është i neveritshëm dhe kërkimi i gijotinës për të është skandaloz. Këto janë komente meqë më pyetet, por për më shumë s’kam çfarë them”, deklaroi Rama më 30 Dhjetor 2024….Lexo më shumë

15:12, 10 Shkurt 2025

Të dashur lexues të tvklan.al, siç kemi raportuar më herët, këtë të Hënë është arrestuar me urdhër të GJKKO-së kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Masë sigurimi është lëshuar edhe për 6 persona të tjerë, përfshirë bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.

Qëndroni me ne për të mësuar çdo zhvillim lidhur me rastin që duhet theksuar është më i bujshmi pas vënies në pranga të ish-Presidentit të Republikës Ilir Meta.

15:07, 10 Shkurt 2025

Çfarë tha Sali Berisha pas arrestimit të kryebashkiakut

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. “Po shembet piramida e krimit falë opozitës”, i tha ai gazetarit të Klan News, Enkel Xhangoli teksa po dilte nga selia e PD-së.

15:04, 10 Shkurt 2025

Kush janë 7 personat e tjerë me masë sigurie

Gazetarja Glidona Daci ka mësuar se përveç Erion Veliajt, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar masë sigurie edhe për 7 persona të tjerë.

Masat e sigurisë:

Erion Veliaj – Arrest me burg

Ajola Xoxa – Arrest shtëpie

Elman Abule – Arrest në burg

Gentian Sula – Detyrim paraqitje

Meriman Palushi – Detyrim paraqitje

Fatmir Bektashi – Detyrim paraqitjeje

Sokol Kryeziu – Detyrim paraqitje

Shkëlqim Fusha – Detyrim paraqitje

14:15, 10 Shkurt 2025

Arrestohet kryebashkiaku Erion Veliaj, masë sigurie për Ajola Xoxën dhe 6 biznesmenë

Është arrestuar këtë të hënë kryetari i bashkisë Tiranë Erion Veliaj. Urdhri është dhënë nga Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion. Burime për Klan News bëjnë me dije se GJKKO ka caktuar masën e “arrestit me burg” ndaj kryebashkiakut, i akuzuar për disa vepra penale. Po me kërkesë të SPAK, mësohet se ndaj bashkëshortes së tij Ajola Xoxa është caktuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi”.