Gazetarja Glidona Daci raporton se nisi në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca në themel për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Ai akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste dhe mosdeklarim të pasurisë.
I pranishëm në sallë ditën e sotme ishte vetë Goro, i cili u shpreh se i qëndron kërkesës së bërë në seancë paraprake për gjykim të shkurtuar. Kjo kërkesë e tij u pranua nga gjyqtari i posaçëm, Ardit Mustafaj.
Prokurori i çështjes Ols Dado tha se është provuar shpërdorimi i detyrës në dy episode si dhe mosdeklarimi e fshehja e pasurisë nga ana e Goros.
Bashkë me Jorgo Goron, nisi gjykimi me të njëjtën procedurë edhe për ish-zyrtarët e tjerë të bashkisë, Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho, ndërsa ish-kreu i Kadastrës Vlorë, Bilbil Aliaj do të gjykohet me procedurë të zakonshëm. Për këtë të fundit, gjykata vendosi ndarjen e çështjes.
Në seancën e radhës, më 10 Shkurt, ora 13:00, sipas asaj që raporton gazetarja Daci, Prokuroria e Posaçme do japë pretencën për Goron dhe të tjerët.
Çështjet që akuzohen
Në episodin e parë rezulton se ata kanë çuar për regjistrim një pasuri me dokumentacion të rremë. Ndërsa në të dytin për një sipërfaqe toke kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor.
Gjatë hetimeve të SPAK, dyshohet se Jorgo Goro të ketë fshehur një apartament në Tiranë, me sipërfaqe 81 metra katrorë. Për këtë pasuri, organi i akuzës dyshon se Goro e ka regjistruar në emër të një personi tjetër, por që posedohet nga ish-kryebashkakiu./tvklan.al